Për një shoqëri me dinjitet dhe drejtësi për të gjithë
Tashmë është bërë traditë që në çdo 3 dhjetor - Ditën Ndërkombëtare të Paaftësisë - institucionet, shoqëria civile dhe grupet e interesit të bëjnë një bilanc të arritjeve, por sigurisht edhe të sfidave dhe rrugëzgjidhjeve në procesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuara, një kategori sociale në nevojë.
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar nuk është thjesht një ditë për të festuar, por më së pari, në këtë ditë, kudo në botë synohet ndërgjegjësimi i shoqërisë, institucioneve, donatorëve, por edhe vetë individëve që i përkasin kësaj kategorie, me qëllim që të nxiten për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në procesin e integrimit në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
Motoja e 3 Dhjetorit të këtij viti është “Dinjitet dhe drejtësi për të gjithë”, duke pasur parasysh këtu krijimin e kushteve optimale që kjo kategori të mund të integrohet me dinjitet në të gjitha fushat e jetës. Edhe për qeverinë shqiptare respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe trajtimi i tyre si pjesëtarë të barabartë të shoqërisë ka qenë dhe mbetet orientimi themelor i politikave sociale të saj.
Zhvendosja e aftësisë së kufizuar nga modeli mjekësor në modelin social të barazisë dhe mundësisë së pjesëmarrjes së plotë në jetën social-ekonomike, ka gjetur reflektim edhe në Strategjinë Ndërsektoriale për PAK, në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore dhe po ashtu, në politikat dhe programet për mbështetjen e kategorive të ndryshme të paaftësisë. Disa nga politikat e reja që kanë krijuar mundësi për lehtësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara, janë jo vetëm rritjet ndjeshëm të pagesave për të gjitha kategoritë e paaftësisë, por edhe ngritja dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar, organizëm ky që drejtohet nga numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministri dhe në përbërje të të cilit, përveç gjashtë ministrave, në funksionin e anëtarit të këshillit marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave kombëtare që mbrojnë interesat e grupeve me aftësi të kufizuara. Kjo ka bërë që zëri i vetë personave me aftësi të kufizuara të dëgjohet në instancat më të larta vendimmarrëse dhe të kthehet në një kontribut të vlefshëm dhe të vlerësuar.
Dita Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara na vë të gjithë së bashku përpara detyrimit për respektimin dhe zbatimin e parimeve universale të dinjitetit dhe të drejtësisë. Qeveria është e angazhuar dhe e interesuar për vazhdimin e procesit të nënshkrimit dhe, më tej, ratifikimit të Konventës mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, pasi bërja realitet e të drejtave universale të njeriut përbën një detyrim për të gjitha qeveritë dhe shoqëritë. Nevoja e ndërtimit të një sistemi që nxit barazinë e mundësive dhe zhduk barrierat për pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara, është pranuar tashmë edhe nga politikëbërja dhe vendimmarrja në Shqipëri.
Parimi i të drejtave të barabarta, para së gjithash, do të thotë që nevojat e çdo individi janë të së njëjtës rëndësi dhe ato duhet të jenë baza për hartimin dhe realizmin e planeve shoqërore dhe se të gjitha këto burime duhet të organizohen në mënyrë të tillë që t’i sigurojnë çdo individi mundësi të barabartë për pjesëmarrje në to. Është pikërisht ky qëllimi i nismës sonë për të rishikuar dhe për të vënë mbi baza më të drejta jo vetëm nivelin e pagesës për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, por edhe diferencimin e saj sipas shkallës së rëndesës së paaftësisë së përfituesit.
Për personat me aftësi të kufizuara, ashtu si për çdo person tjetër, mohimi apo neglizhimi qoftë edhe i një të drejte të vetme, mund të çojë në mohimin e mundësive dhe të drejtave të tjera përgjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, qeveria është e angazhuar jo vetëm t’i njohë, por edhe të marrë masat që t’i garantojë konkretisht të gjitha të drejtat për këtë kategori me nevoja specifike.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka objektiv të sajin përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, duke e vënë theksin në rëndësinë e integrimit dhe pjesëmarrjes së tyre të plotë në shoqëri. Integrimi i personave me aftësi të kufizuara fillon nga mbështetja e tyre për të ndjekur arsimin në të gjitha nivelet, që nga ai bazë, arsimi i mesëm, i lartë, e deri tek kualifikimet pasuniversitare. Pikërisht, për të nxitur arsimin e personave me aftësi të kufizuara, ata mbështeten gjatë vazhdimit të studimeve të larta dhe pasuniversitare me 200% dhe 300% të pagesës së aftësisë së kufizuar. Po aq të ndjeshme janë politikat tona edhe për krijimin e mundësive për integrimin e kësaj kategorie në jetën ekonomiko-shoqërore nëpërmjet mbështetjes së nevojshme jo vetëm brenda strukturave arsimore e shëndetësore, por edhe shërbimeve të punësimit dhe atyre sociale.
Nuk është e re, por është një ide që i ka qëndruar kohës: atje ku shoqëria përdor sistemin e gjithëpërfshirjes, duke respektuar liritë dhe të drejtat e individit, atje procesi i zhvillimit të saj është i sigurt dhe i garantuar.
* Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta