Ushtarakët, del vendimi për pensionet
Vendimi që përcakton funksionimin e ligjit për pensionet e ushtarakëve dhe ndryshimet e aktit normativ për këtë ligj, pritet të ketë efekt në përshpejtimin e procesit të ndarjes së përfitimeve. Ushtarakët kohë më parë i patën kërkuar Ministrit të Mbrojtjes që të vepronte në përshpejtimin e këtij procesi, i cili që nga hyrja në fuqi e ligjit nuk ka ecur sipas pritshmërisë së kësaj kategorie. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare saktëson edhe ndryshimet që iu bënë aktit normativ, që sanksiononte zbatueshmërinë e ligjit për pensionet e ushtarakëve. Ndërkohë, më 4 shkurt doli edhe një udhëzim për mënyrën e tërheqjes së dokumentacionit nga ushtarakët, që duhet të aplikonin për pension. Procedura e ndryshuar lidhej me përgatitjen dhe paraqitjen e dokumenteve, duke e zhvendosur punën nga institucionet qendrore në ato lokale. Kështu, qytetarët që përfitojnë nga ligji, duhet të bëjnë kërkesën për të përfituar pranë komandës së repartit ku kanë shërbyer. Kjo e fundit i drejton të interesuarit pranë DRSSH, për të plotësuar kërkesën personale.