E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në Eurozonë, BSH: Remitancat pritet të ulen

Vështirësia në tregun e punës e shfaqur në Eurozonë nuk do të kalojë pa u ndier edhe në vendin tonë. Dërgesat e emigrantëve do të jenë ato që do të preken direkt nga kjo situatë. Në raportin e saj të Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë gjykon se dërgesat nga jashtë pritet të preken negativisht nga vështirësia që po kalon Eurozona. Ndërkaq, një tjetër detaj që vëren BSH, është edhe shtimi i mundshëm i deficitit të llogarisë korrente. Gjatë prezantimit të djeshëm të raportit, që ekspertë të Bankës së Shqipërisë zhvilluan për median, përveç rënies së dërgesave nga jashtë, duket se çështje tjetër e rëndësishme ndaj së cilës Shqipëria është mjaft e ndjeshme, është edhe inflacioni. Në raport vërehet se Shqipëria ka një inflacion të lartë, të cilin e importon nga tregjet e huaja, ndërkohë që për momentin ai mbetet i ankoruar. Sigurisht, për disa ekspertë parashikimet nuk janë dhe aq optimiste për të ardhmen, nëse në tregjet ndërkombëtare vijojnë rritjen e çmimit të lëndëve të para dhe naftës. Nëse ndodh kështu, Shqipëria sigurisht që do të ndikohet dhe mundësia për një rritje të mëtejshme të çmimeve është e madhe dhe e paevitueshme. Banka e Shqipërisë, në total për ekonominë vlerëson se ajo vijon të ketë rritje ekonomike pozitive, që mbështetet nga një sërë faktorësh, por norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijon dukshëm më ulët se mesatarja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›