E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtri dhe ushtarakë në mes të rrugës

Azem Parllaku

- Ushtarakët, ata të uniformave të blerta nuk ka pse të mos konsiderohen idealistë! Duke iu referuar Bonapartit të madh i cili thoshte; “Oficeri ka në dorë të hedhë në luftë rininë e një Kombi”, ky përcaktim vlen për ata. Më tej e qartësisht ka shkuar një nga ish-ushtarakët dhe politikanët më të suksesshëm të kohës sonë Kolin Pauell, i cili kur i referohet profesionit të ushtarakut sjell në vëmendje se: “Nuk ka profesion në të cilin përgjegjësia për jetën e vdekjen bie në supe kaq të njoma si në Ushtri, kësaj pjese të nderuar të Kombit, të asaj pjese të shoqërisë, që e përjeton idealin demokratik më përpara se çdo pjesë tjetër e saj”. Është e drejtë të dakordohesh me atë çfarë kanë shprehur burrështetasit e cituar më lart, e për më tutje të reflektosh në realitetin tonë shqiptar. Ndjeshmëria për të rrokur qasje të tilla për publikun, përpos të tjerave, kërkon njohje, aftësi, më së shumti dhe guxim, për të thënë atë që duhet, për të apeluar për atë që është e domosdoshme, e më tej akoma, për të justifikuar pretendimet që ke ngritur. Në këtë pikëshikim po sjellim në vëmendje vetëm harkun kohor të dy dekadave e tre vite të fundit, me të vetmin qëllim, për të mos shikuar verbërisht, përkundër për të mbetur qartësisht në anën e të vërtetës. Shqipëria e fundmit nga vendet e Europës, kaloi butësisht në demokraci, ashtu e varfër dhe me shpresë. Në këtë periudhë të ndryshimit të madh, Forcat e Armatosura, si instrument i Sigurisë Kombëtare, më së shumti u konsideruan njëlloj si klasa politike, fajtorë të prapambetjes ekonomike dhe të izolimit me botën. Kjo vinte për faktin se në emër të Sigurisë Kombëtare, ishin bërë shpenzime kolosale, shpenzime të cilat i faturoheshin Forcave të Armatosura, pasi në inventarin e tyre ishte gjithë ai arsenal, që përfshinte armatimin, pronat ushtarake, deri dhe bunkerët që tashmë quhen “breshka të shëmtuara”. Në fakt nuk ishin aq fajtorë ushtarakët për këtë sipërmarrje në dëm të popullit të tyre; ata kurrsesi nuk vepruan pa patur klasën politike si udhërrëfyese. Njëlloj vepruan dhe shtresat e tjera shoqërore. Ashtu sikurse regjimi pengoi dhe dënoi çdo ide të përparuar e cila qasej në politikbërje, në industri, në art e gjetkë, pengoi, dënoi e vrau idetë e përparuara të ushtarakëve, përgjegjës të fushës së mbrojtjes. Kush ka memorie, nuk ka si të mos sjellë në vëmendje një fakt mjaftueshëm paradoksal, por të vërtetë: ushtarakët e kohës në fjalë nuk kishin asnjë simbol përfaqësues, për t’i diferencuar me zboristët e një fabrike, apo çetën vullnetare të grave të fshatit. Përse ata duhen konsideruar idealistë? Ka një arsyetim të shëndoshë për ta definuar këtë fakt. Ushtarakët, veçanërisht studentët ushtarakë të viteve 1990, mbetën promotorë në kërkesën më thelbësore, atë të departizimit të Forcave të Armatosura, me qëllimin e mospërdorimit të tyre për llogari të politikës. Ndonëse kjo kërkesë, e cila erdhi nga vetë ushtarakët u sanksionua ligjërisht, përsëri ata vijuan të anatemohen, e kështu deri sot herë si miq, herë si armiq të politikës dhe ideve të politikbërësve. Një student ushtarak i vitit 1990, pati të njëjtin ideal si bashkëkohësi i tij, që studionte për mjek, apo inxhinier, por në kohët më pas, ndryshimi qe i madh: bashkëkohësi mjek, apo inxhinier nuk ushtroi asnjë ditë zanatin, pasi u bënë politikanë e deputetë, ndërsa studenti ushtarak e ushtroi denjësisht zanatin, e tashmë trajtohet si ish-ushtarak me një status të papërcaktuar siç duhet.  Përgjatë këtij harku kohor, politika dhe politikbërësit më së shumti e konsideruan ushtarakun si “mall të lirë”. Jo shumë shpejt dhe kur duhej, atyre iu rikthyen gradat dhe simbolet, po kaq dinjiteti dhe përkushtimi i tyre ndaj detyrës si “qytetarë me uniformë”, shpesh vijuan të konsiderohen si sjellje e keqe e të kaluarës. Ndërkohë politikbërësit intensifikuan axhendën e tyre me Perëndimin, qëlloi shpesh dhe më shpesh, që homologët e tyre tërhiqnin vëmendje se “pa integrim ushtarak nuk mund të ketë integrim në fushat tjera, pasi integrimi ushtarak është garanci”. Sigurisht sot ushtarakët kanë të drejtë të jenë krenarë, pasi Forcat e Armatosura të Shqipërisë, janë anëtare të NATO-s. Edhe pse në këto kushte, përsëri ushtarakët kanë mbetur pa një status të qartë, përpos kaq, statusi i ushtarakut është ndryshuar disa herë, për të mbetur ashtu amorf siç është aktualisht. Më shumë jo për fajin e tyre, ndonëse dhe ata janë fajtorë, ushtarakët nuk kanë mundur dot të kenë “lobin” e tyre mbështetës në politikë e më gjerë. Nëse do të kishin një “lob” të tillë, atëherë statusi i tyre do t’i trajtonte dinjitoz si çdo vlerë tjetër e shoqërisë shqipfolëse. Për të krijuar një bindje më të qartë le t’i referohemi një fakti: kush nga Presidentët, Kryeministrat, ministra, deputetët, apo funksionarët e lartë, biznesmenët dërgoi djalin apo vajzën e tij për ta bërë oficer? Përgjigja është e qartë. Le të kthejmë sytë nga Europa e Perëndimi më tutje, ku arsimimi ushtarak është në radhë të parë privilegj i Mbretërve, Presidentëve, Kryeministrave, Lordëve, Dukëve, Senatorëve, etj.. Komenti më tutje në lidhje me këtë fakt është i tepërt, por e sollëm në vëmendje atë, për hir se ai është e kështu ka gjasa të jetë për shumë kohë në të ardhmen. Të konsideruar si “mall i lirë”, ushtarakët nuk kanë mundur të vetë-analizojnë, e as nuk kanë patur qasje për të bërë një analizë të qartë për shumë e shumë probleme, të cilat e për të cilat nuk janë fajtorë, e nuk ka pse të jenë përgjegjës ushtarakët. Ende deri sot, në Shqipëri nuk ka një analizë publike, kombëtare për ngjarjet e vitit 1997. Natyrshëm lind pyetja; Kush ka fuqinë ta bëjë këtë analizë? A pati 1997-ta ngjyrim politik? Kush nga politikanët doli të kërkojë, që anëtarët apo simpatizantët e forcës së tij politike, të mos drejtohen tek ushtria ky aset kombëtar në pranverën e 1997-ës? Pavarësisht artikulimit të vazhdueshëm në media për Gërdecin e famshëm, ende nuk ka një analizë të qartë, por thjesht “fajtorë të uniformës së blertë” e  pa asnjë faj të cilët thirren e stërthirren në gjykata dhe fajtorë të vërtetë të politikës e ministra. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Forcat e Armatosura në vazhdimësi iu nënshtruan një transformimi rrënjësor në rrugën për t’u bërë anëtare të NATO-s. Në këtë rrugëtim u dëshmua se Forcat e Armatosura kishin e kanë një korpus oficerësh të përgatitur dhe të edukuar për të bërë detyrën e shtetarit nën uniformë. Edhe pse u bënë hapa të rëndësishëm në përmirësimet strukturore, për të patur një operacionalitet dhe ndërveprueshmëri të niveleve të kërkuara, shpesh dhe më shpesh ishin ushtarakët ata të cilët në emër të “statusit”, dilnin në rezervë, e fatkeqësisht në moshën më të mirë për të shërbyer. Akoma më i dhimbshëm është fakti, kur një ushtarak i trajnuar në Perëndim viktimizohet po në emër të “statusit”. Funksionet e lira tashmë u shërbyen militantëve të politikës, të cilët asgjë nuk i lidh me profesionin e ushtarakut dhe ushtrinë. Me status të papërcaktuar ushtarakët e vuajnë menaxhimin e tyre si personel. Pothuaj çdo vit ndryshojnë rregullat të cilat përcaktojnë kriteret e trajnimit dhe karrierës së ushtarakut. Kurset e trajnimit dhe ecuria në karrierë janë luksi vetëm për një pjesë servilësh dhe të nënshtruarish me lidhje nepotike, të cilët dhe pasi u nënshtrohen këtyre kurseve, nuk janë në gjendje të sjellin në praktikë ndonjë risi për t’u shënuar. Diferencimi në pagë për funksione që relativisht kanë të njëjtën ngarkesë në punë, shpeshherë e ka demotivuar personelin. Mungesa e transparencës në momentin e thirrjes në shërbim të ushtarëve profesionistë, po kaq dhe reklamat butaforike për t’i thirrur ata nën uniformë, ka bërë që këta të fundit të jenë përballë një fakti krejt tjetër, ku bie në sy paga e ulët dhe mospërfitimi në kohë i të drejtave të tjera financiare siç është trajtimi me ushqim, apo ai i mbulimit të qerasë për banesë. Uniforma është një element shumë sinjifikativ për ushtarakët. Janë propozuar lloji dhe mbajtja e saj, por ende fatkeqësisht kush mund të bëjë një lëvizje në Tiranë aty rreth orës 07.30, apo në orën 16.30 sheh lloje të ndryshme uniformash ushtarake, që nuk i bëjnë mirë imazhit të Forcave të Armatosura. Ka qëlluar rëndom që pa u kompletuar me uniformën e miratuar, të propozohet lloji tjetër i saj, e kështu lind dyshimi: Pse duhet të bëhet ky propozim? Me status të papërcaktuar, ushtarakët nuk kanë mundësinë e të bërit problem të shqetësimeve që ata mund të kenë. Pavarësisht se janë qytetarë dhe gëzojnë të drejtën si çdo qytetar, ata nuk mund të shprehen në tribunën e lirisë së fjalës, aty në media. Media shpesh vlerësohet jo si mike, por e kundërta. Media më së shumti bëhet aleate kur ftohet për të pasqyruar, ndërsa i mbyllen dyert kur ajo është e interesuar për të investiguar një të vërtetë. Kjo lloj marrëdhënieje, ka bërë që ende të mos ketë një transparencë për shumë probleme të cilat i faturohen për të mirë, apo për të keq vetë Forcave të Armatosura. Strukturat e komunikimit me median, nuk kanë mundur të ndërveprojnë siç duhet, e kështu ka gjasa që vetë media i ka quajtur si bashkëpunëtorë të pavlefshme. Ende deri sot nuk është marrë në konsideratë të bëhet një analizë në lidhje me shpenzimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre. Po kështu nuk ka një transparencë në lidhje me pasuritë dhe resurset materiale që dalin jashtë funksionit: Ku shkojnë dhe si administrohen të ardhurat që mund të krijohen nga shitja, apo transformimi i tyre? Në këtë hark kohor janë ripunuar rregullore, apo dhe ligji për autoritetet e komandimit e drejtimit, por ata ende mbeten jo qartësisht të shprehura për një ndarje të kompetencave, ç’ka bën shumë herë të vazhdojnë reminishencat. Shpesh një drejtor civil në Ministrinë e Mbrojtjes merr kompetencën e drejtuesve të lartë ushtarakë, duke anashkaluar qëllimisht argumentin e këtyre të fundit. Jo shumë larg, por vetëm gjatë muajit gusht u fol gjatë në lidhje me ndërrimin e destinacionit të njërës prej pronave të Forcave të Armatosura, atë të SHQUP-it. Në këtë kontekst u mësua se më së shumti kishte vlejtur propozimi i një drejtori me zanat “spiker”, sesa mendimi i Shtabit të Përgjithshëm. Si aset mjaft i rëndësishëm Forcat e Armatosura thirren në mbështetje të strukturave të qeverisjes vendore në përballimin e Emergjencave Civile, pavarësisht gatishmërisë së tyre, ata pothuaj operojnë me resurset e tyre në këto raste, dhe pse komunat, bashkitë, apo qarqet disponojnë fonde të posaçme për këtë qëllim. Shpenzimet e planifikuara për pajisje, uniforma, apo trajtim të ushtarakëve, gjithnjë e më shpesh ka qëlluar e qëllon të shkojnë në funksion të plotësimit të detyrave të paplanifikuara, gjë e cila nuk ka pse të ndodhë. Akoma më e padrejtë është përdorimi që i bëhet reparteve apo nënreparteve ushtarake për preferenca e punë klienteliste. Një fakt çuditërisht i memorizuar kishte të bënte me një ish-zëvendësministër të Mbrojtjes, i cili paskësh bashkëshorten drejtoreshë të një shkolle. Ky burrështetas jep urdhër të punohet për parkun e shkollës, duke vendosur në dispozicion forca dhe mjete ushtarake. Pse? Apo se bashkëshortja e tij është drejtoreshë e shkollës?! Më mirë do të ishte që këto forca dhe mjete të angazhoheshin në ndihmë të një shkolle tjetër pa lidhje me burrështetasin në fjalë. Janë me dhjetëra e dhjetëra rastet kur strukturat apo asetet e Forcave të Armatosura, përdoren për qëllime klienteliste me urdhër të politikës. Mjafton që një këngëtare e turbofolkut apo tallavasë sllavo-turke të bëjë një kërkesë dhe të ngrihet helikopteri apo të lëshohet anija, apo ndërtohet kampi me çadra. Pothuajse çdo vit, propozuesit ushtarak bëjnë kërkesa për kompletim të strukturave me pajisje dhe sisteme në shërbim të misionit dhe funksionit të Forcave të Armatosura. Çuditërisht propozimet e tyre anashkalohen nga borde civilësh me militantë partiakë të papërvojë për qasje në çështjet e vendimmarrjes në fushën e mbrojtjes. Ushtarakët janë pjesë e nderuar e shoqërisë shqiptare, të cilët shpesh në kushte të vështira ekonomike, madje deri në kufijtë e varfërisë, pa strehim, pa trashëgimi, pa mundësi pasurimi, pa pjesëmarrje në privatizimin kombëtar, arritën të qëndrojnë dinjitozë në detyrën e tyre fisnike. Forcat e Armatosura janë pasuri kombëtare, ato disponojnë resurse njerëzore e materiale për të mbetur qartësisht në detyrën e tyre siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Një analizë dhe transparencë për çfarë ato kanë vuajtur në këtë tranzicion, më së shumti do t’i shërbejë komunikimit dhe marrëdhënies paqësore, veçanërisht me politikën dhe politikbërësit. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›