E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria pakistaneze pushtoi një qendër të talebanëve

Pjesëtarët e ushtrisë pakistaneze kanë depërtuar në selinë qendrore të talebanëve në Vaziristanin Jugor, ka njoftuar sot ushtria.

Ushtria pakistaneze filloi më 17 tetor ofensivën kundër talebanëve në Vaziristanin Jugor, për të çrrënjosur militantët, të cilët konsiderohen si përgjegjës për ndërmarrjen e sulmeve të përgjakshme në qendrat urbane të Pakistanit.

Ofensiva po përcillet me kujdes nga ana e SHBA-së dhe fuqitë tjera perëndimore, të angazhuara në misionin në Afganistanin fqinj, pasi që Vaziristani Jugor, rajon ky në kufi me Afganistanin, është shndërruar në një qendër të militantëve islamikë.

Pjesëtarët e ushtrisë nga tri drejtime kanë depërtuar deri te selia qendrore e talebanëve në qytetin Makeen, ka njoftuar ushtria.

Forcat e sigurisë kanë hyrë në Makeen. Një pjesë e madhe e qytetit është pastruar, u theksua në kumtesën e ushtrisë, në të cilën ndër të tjera u tha se Makeeni ka qenë bazë e terroristëve.

Nuk kishte konfirmim të pavarur të kësaj informate, pasi që gazetarëve nuk ju është lejuar raportimi nga rajoni në fjalë.

Një zyrtar i ushtrisë theksoi se ushtria ka hasur në rezistencë të vogël të kryengritësve në këtë qytet. Forcat tona janë duke e pastruar terrenin dhe janë duke përparuar, tha ky zyrtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›