E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uzina e Poliçanit, nis demontimi i fishekëve

Procesi i demontimit të fishekëve është një një linjë të re për Uzinën Mekanike të Poliçanit. Aparature bashkëkohore dhe ambienteve të duhura, janë gati për procesin e punës. 

POLICAN- Uzina Mekanike e Poliçanit tashmë do të ketë dhe një linjë të re për demontimin e fishekëve. Përveçse procesit të demontimit të predhave, pranë kësaj uzine ka nisur puna dhe për demontimin e fishekëve. Gjithçka do të realizohet nëpërmjet një aparature bashkëkohore dhe ambienteve të duhura, që janë gati për procesin e punës. Lajmi bëhet me dije nga drejtori i uzinës, Myqerem Xhaferri. Ai thotë se linja e re u vu në funksion falë donacionit të dhënë nga qeveria amerikane, në kuadër të procesit të demontimit të municioneve që trashëgon vendi ynë në vite. Ky proces pune ka nisur me punësimin e 20 specialistëve të kësaj fushe dhe do të procedohet duke djegur lëndën djegëse të fishekëve, djegie nga e cila mbetet vetëm gëzhoja, që do të tregtohet më pas për skrap. Pajisja e teknologjisë bashkëkohore e vendosur në ambientet e uzinës nuk shkakton asnjë problem ndotjeje në ajër. Kjo, për faktin se shkatërron me anë të djegies gjithë lëndën djegëse të fishekëve, ndërsa është e pajisur me filtra pastrues për ajrin. Sipas Xhaferrit, aparatura është montuar brenda ambienteve të uzinës dhe është vënë në punë brenda të gjitha standardeve të duhura, ndërkohë që kjo procedurë pune është e para që aplikohet në vendin tonë. Nga ana tjetër, drejtori i Uzinës Mekanike të Poliçanit deklaron se në vazhdim të punës për demontimin e predhave, nisi puna dhe për demontimin e fishekëve që kanë dalë jashtë funksionimit dhe ndodhen në depot e vendit. Ish-fusha përpara uzinës mësohet se tashmë është shndërruar në një kapanon me kushte sigurie tepër të larta, në një repart ku do të çmontohen fishekët.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›