Më 12 janar fillon shpërndarja e kartave të identitetit

Kryeministri Berisha u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të fillojnë aplikimet për marrjen e letërnjoftimeve të reja dixhitale
TIRANE - Më 12 janar 2009 do të nisë në Tiranë procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime, dokument ky i cilësuar ndër më modernët në të gjithë Evropën
Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, që të aplikojë për marrjen e letërnjoftimeve. “Kam një thirrje dhe apel ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, që të shkojnë dhe të aplikojë për marrjen e letërnjoftimeve. Me datën 12 janar fillon në Tiranë procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës se marrja e kartave të identitetit është absolutisht një moment i veçantë për secilin prej nesh sepse ne marrim një dokument, një letërnjoftim të njëjtë dhe ndër më modernët në të gjithë Evropën. Para kujtdo që e paraqesim letërnjoftimin, ne prezantohemi si qytetarë me një dokument identifikimi të denjë për ne”, u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se marrja e kartave të identitetit është ndër të tjera dhe një kontribut që vetë qytetarët mund të japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ky është një rast i artë që çdo qytetar të kontribuojë në zgjedhjet që vinë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Me marrjen e letërnjoftimit, secila familje dhe secili qytetar dëshmon se përveç votës, është duke dhënë kontribut edhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, tha kryeministri. Më tej, kryeministri u shpreh se “çmimet janë qartësisht të ulëta për letërnjoftimin, ndërsa për pasaportën janë pak më ndryshe”.