E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR MIRATIMIN E VLERËS SË DËMEVE TË SHKAKTUARA NË OBJEKTE, PRONË PRIVATE, SI RRJEDHOJË E TËRMETIT, RËNË NË QARKUN E DIBRËS, DHE TË LISTAVE EMËRORE, ME VLERAT PËRFITUESE

 V E N D I M  

PËR 

MIRATIMIN E VLERËS SË DËMEVE TË SHKAKTUARA NË OBJEKTE, PRONË PRIVATE, SI RRJEDHOJË E TËRMETIT, RËNË NË QARKUN E DIBRËS, DHE TË LISTAVE EMËRORE, ME VLERAT PËRFITUESE

 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “dh”, të pikës 2,  të nenit 5, të  ligjit nr.8756,  datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara në objekte, pronë private, si rrjedhojë e tërmetit, rënë në qarkun e Dibrës, në shumën 129 359 122 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e dy) lekë, të përcaktuar në fund të përmbledhëses, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 2.     Miratimin e listave, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me emrat dhe shumat përkatëse të kompensimit, si rezultat i procesit të vlerësimit.

 3.     Fondi, prej 129 359 122 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e dy) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:

 ·         100 000 000 (njëqind milionë) lekë, nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Brendshme;

·         29 359 122 (njëzet e nëntë milionë e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e dy) lekë, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

 4.     Kryerja e pagesave personave përfitues të bëhet nga këshilli i qarkut Dibër.

 5.     Ngarkohen  Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme dhe këshilli i qarkut Dibër për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


30/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›