V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË, PRANË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË, PRANË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Hapjen, pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, të programeve të studimit, të ciklit të dytë:
i) “Sociologji e Zhvillimeve Shoqërore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, DND, në sociologjinë e zhvillimeve shoqërore;
ii) “Punë Sociale”, me profile:
- Drejtim klinik;
- Organizim komunitar;
- Politikë sociale.
Në përfundim të këtyre programeve do të lëshohen diplomat e mëposhtme:
• Diplomë e nivelit të dytë, DND, në punë sociale, me profil drejtim klinik.
• Diplomë e nivelit të dytë, DND, në punë sociale, me profil organizim komunitar;
• Diplomë e nivelit të dytë, DND, në punë sociale, me profil politikë sociale.
2. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite.
3. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Universitetin e Tiranës.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA