V E N D I M PËR LEJIMIN E KALIMIT TRANZIT TË PESË AUTOKOLONAVE USHTARAKE ITALIANE, PËRMES TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D I M
PËR
LEJIMIN E KALIMIT TRANZIT TË PESË AUTOKOLONAVE USHTARAKE ITALIANE, PËRMES TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, pika 2, 17, 18 e 19, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e kalimit tranzit, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, në itinerarin Porti i Durrësit - Qafë-thanë, në datën 28 korrik 2008, të 4 autokolonave ushtarake italiane, të përbëra nga:
- Autokolona e parë me 16 (gjashtëmbëdhjetë) automjete dhe 42 (dyzet e dy) trupa.
- Autokolona e dytë me 14 (katërmbëdhjetë) automjete dhe 29 (njëzet e nëntë) trupa.
- Autokolona e tretë me 13 (trembëdhjetë) automjete dhe 27 (njëzet e shtatë) trupa.
- Autokolona e katërt me 15 (pesëmbëdhjetë) automjete civile.
2. Lejimin e kalimit tranzit, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, në itinerarin Porti i Durrësit - Qafë-thanë, në datën 1 gusht 2008, të një autokolone ushtarake italiane, të përbërë nga 10 (dhjetë) automjete dhe 23 (njëzet e tre) trupa.
Pika e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë është pika e kalimit të kufirit Porti i Durrësit dhe pika e daljes është pika e kalimit të kufirit Qafë-thanë.
3. Procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në Republikën e Shqipërisë janë parashikuar në marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, të marrëveshjes ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shteteve të tjera, që marrin pjesë në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre, nënshkruar në Bruksel, më 10 janar 1994, si dhe të protokollit shtesë, për marrëveshjen, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre”, ratifikuar me ligjin nr.8034, datë 22.11.1995.
4. Autokolonat ushtarake italiane, gjatë itinerarit të lëvizjes nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
5. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA