E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË MËNYRËS SË MBËSHTETJES FINANCIARE, PËR RUAJTJEN E REZERVËS GJENETIKE TË RACËS AUTOKTONE TË BUAJVE

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË MËNYRËS SË MBËSHTETJES FINANCIARE, PËR RUAJTJEN E REZERVËS GJENETIKE TË RACËS AUTOKTONE TË BUAJVE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 3 e 4, të nenit 58, të ligjit nr.9426, datë 6.10.2005, “Për mbarështimin e blegtorisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1. Mbështetjen financiare, vjetore, të fermerëve, për ruajtjen e rezervës gjenetike të racës autoktone të buajve, në Shqipëri, për çdo krerë, sipas tabelës së mëposhtme:

Numërtimi  Emërtimi     për ruajtje    për pjellje       për remont

     a)            për buallicat (F      10 000 lekë   10 000 lekë -
     b)            për buajt       (M)  20 000 lekë    2 000 lekë  -
     c)            për remontin          -  -                5 000 lekë.

2. Ngritjen, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të komisionit të vlerësimit të mbarështimit dhe ruajtjes së rezervës gjenetike të buajve, veprimtaria e të cilit rregullohet me akt nënligjor të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

3. Drejtoritë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, në bazë të aktit të vlerësimit, të lëshuar nga komisioni i vlerësimit, t’i paguajnë fermerët, që mbarështojnë buaj, sipas këtyre procedurave:

a) Pagesa për ruajtjen e buallicës të jepet në fund të 6-mujorit të parë të vitit kalendarik, pavarësisht nëse ajo ka pjellë ose jo.
b) Pagesa për ruajtjen e buallit të jepet në fund të 6-mujorit të parë të vitit kalendarik, pavarësisht numrit të ndërzimeve barse, të kryera prej tij në tufën e buallicave, në zonën ku ai “lejohet” të veprojë nga shërbimi zooveterinar i drejtorisë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, në komunën, ku banon fermeri.
c) Pagesa për pjelljen e buallicës të jepet pas 1 (një) muaji nga data e lindjes, vetëm pasi të jetë verifikuar, me aktlindjeje, dhe kotorri të jetë i matrikuluar nga tekniku i ndërzimit dhe shërbimi zooveterinar i drejtorisë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, në komunën, ku banon fermeri.
ç)  Pagesa për pjelljen, në rastin e buallit, t’i referohet numrit të buallicave të fekonduara prej tij, të cilat kanë pjellë, në zonën ku ai “lejohet” të veprojë nga shërbimi zooveterinar i drejtorisë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, në komunën, ku banon fermeri.
d)  Pagesa për remontin të jepet vetëm për kotorrët e moshës
6-18 muaj, për të dyja sekset.
dh) Pagesa përfitohet vetëm në rastet kur fermeri paraqet dokumentet e mëposhtme:

i) Kartelën.
ii) Certifikatën veterinare.
iii) Pasaportën e kafshës.

4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

5. Vendimi nr.219, datë 16.5.2002, i Këshillit Ministrave, “Për mbrojtjen e racës autoktone të buajve nga zhdukja”, i ndryshuar, shfuqizohet.

6. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


17/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›