V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE (OBJEKTE), QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE (OBJEKTE), QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe tё nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private (objekte), që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash.
2. Shpronësimi tё bëhet në favor të Drejtorisё sё Pёrgjithshme tё Rrugёve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelёn, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 7 338 382 (shtatë milionë e treqind e tridhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e dy) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 200 000 (dyqind mijë), të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 7 338 382 (shtatë milionë e treqind e tridhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e dy) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
6. Shpronësimi të fillojё më 20.2.2009 dhe tё përfundojë më 20.4.2009.
7. Pronarët që shpronësohen, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve tё kryejë likuidimin e pronarëve, brenda afateve të përcaktuara në pikën 6, të këtij vendimi, sipas dokumentacionit të pronësisë dhe planimetrisë përkatëse.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/02/2009