E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËRDHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJEVE, SHTËPITË E TË CILAVE JANË SHKATËRRUAR TËRËSISHT NGA AKSIDENTI TEKNOLOGJIK, I DATËS 15 MARS 2008, NË FSHATIN GËRDEC, BASHKIA VORË

 V E N D I M

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJEVE, SHTËPITË E TË CILAVE JANË SHKATËRRUAR TËRËSISHT NGA AKSIDENTI TEKNOLOGJIK, I DATËS 15 MARS 2008, NË FSHATIN GËRDEC, BASHKIA VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Dhënien e një ndihme financiare, prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekësh, në muaj, për pagesën e qirasë së banesës, për një periudhë 1-vjeçare, familjeve, shtëpitë e të cilave janë shkatërruar tërësisht nga aksidenti teknologjik, i datës 15 mars 2008, në fshatin Gërdec, bashkia Vorë, dhe ndodhen brenda perimetrit me rreze 300 (treqind) m nga vatra e shpërthimit, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Dhënien e një ndihme financiare, prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekësh në muaj, për pagesën e qirasë së banesës, për një periudhë 6-mujore, familjeve, shtëpitë e të cilave janë shkatërruar tërësisht nga aksidenti teknologjik, i datës 15 mars 2008, në fshatin Gërdec, bashkia Vorë, dhe ndodhen jashtë perimetrit me rreze 300 m nga vatra e shpërthimit, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Banorët, të cilët përfitojnë sipas pikës 1, të këtij vendimi, si dhe banorët, të cilët, brenda perimetrit me rreze 300 m nga vatra e shpërthimit, disponojnë truall, të cilën e kanë shfrytëzuar për veprimtari ekonomike private, në ndihmë të familjeve të tyre, në pamundësi të shfrytëzimit për një periudhë 1-vjeçare, të kompensohen në lekë, sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Bashkia Vorë të kryejë pagesat për familjarët, sipas lidhjeve nr.1, nr.2 e nr.3, të këtij vendimi.

5. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, t’i shtohet fondi prej 54 527 200 (pesëdhjetë e katër milionë e pesëqind e njëzet e shtatë mijë e dyqind) lekësh, për përballimin e efekteve financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi.

6. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

7. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

8. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›