E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

VALENCIA – Qindra mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë rajonale, pas përmbytjeve biblike

MADRID, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Mijëra njerëz u mblodhën në Valencia dje në mbrëmje për të bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë rajonale pas stuhive më katastrofike të vendit në një shekull.

Njerëzit dolën në rrugë për të protestuar kundër trajtimit të katastrofës nga qeveria, 11 ditë pasi ajo shkatërroi zonën.

Rreth 65 organizata, përfshirë iniciativat qytetare dhe sindikatat, kishin bërë apel për një protestë gjigante.

Pas një minutë heshtjeje për më shumë se 200 viktimat e përmbytjeve, disa nga drejtuesit e protestës lexuan një manifest ku bënin thirrje për një sqarim se kush ishte përgjegjës për pasojat e shmangshme të fatkeqësisë dhe për largimin e qeverisë së paaftë të Valencias.

Të pranishmit thërrsnin ”Vrasës, vrasës” dhe ”Dorëheqje, dorëheqje”.

Disa protestues mbanin pankarta me mesazhe të tilla si “Mazon në burg” duke iu referuar presidentit të qeverisë rajonale, Carlos Mazon.

Sheshi i bashkisë së qytetit dhe rrugët hyrëse të mbushura me njerëz.

Sipas autoriteteve lokale, rreth 130 000 demonstrues u mblodhën në kryeqytetin e provincës.

Më 29 tetor, në disa qytete spanjolle ra në pak orë aq shumë shi sa do të binte normalisht në një vit.

Sipas të dhënave të fundit nga qeveria spanjolle, reshjet e dendura, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet në fund të tetorit vranë të paktën 220 njerëz.

Autoritetet gjetën 214 trupa vetëm në rajonin e Valencias.

Rreth 8 500 anëtarë të personelit ushtarak dhe 10 000 oficerë nga forcat e policisë kombëtare janë vendosur në rreth 80 bashkitë e prekura./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›