E Hënë, 2 Nëntor 2026

VARSHAVË – Polonia mbyll kufirin me Bjellorusinë përpara manovrave ushtarake

VARSHAVË, 9 shtator /ATSH-DPA/ – Polonia po mbyll kufirin e saj me Bjellorusinë për shkak të manovrave ushtarake të planifikuar ruso-bjelloruse ”Zapad 2025”.

”Ky urdhër do të hyjë në fuqi në orët e para të së premtes dhe do të ndikojë gjithashtu në trafikun hekurudhor”, theksoi kryeministri Donald Tusk në Varshavë.

“Po merremi me një numër në rritje provokimesh nga Rusia dhe Bjellorusia”, shtoi Tusk.

Tusk tha se manovra do të përfshijë simulime në të cilat shënjestra do të jetë i ashtuquajturi Hendeku Suwalki.

Hendeku Suwalki është një rrip toke i ngushtë dhe me popullsi të rrallë në kufirin midis Polonisë dhe Lituanisë.

Ai është i rëndësishëm ushtarakisht pasi është e vetmja rrugë tokësore midis shteteve baltike dhe vendeve të tjera të NATO-s dhe ndan enklavën ruse të Kaliningradit nga Bjellorusia.

Në rast të një konflikti ushtarak, Rusia mund të përpiqet ta mbyllë këtë hendek në mënyrë që të ndërpresë lidhjen e shteteve baltike me pjesën tjetër të NATO-s.

”Zapad 2025” do të mbahet nga 12 deri më 16 shtator.

Inspektori i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Gjermane, Carsten Breuer, pret që rreth 13 000 ushtarë të marrin pjesë në stërvitjen në shkallë të gjerë ruso-bjelloruse në Bjellorusi dhe 30 000 të tjerë në territorin rus.

Megjithatë, sipas informacionit nga Minsku, manovra do të zvogëlohet nga planet fillestare dhe do të zhvendoset nga kufiri perëndimor në brendësi të vendit – me qëllim uljen e tensioneve me Perëndimin.

Sipas raportimeve të medias, do të testohet përdorimi i raketës së re ruse me rreze të mesme veprimi ”Oreshnik”, e cila potencialisht mund të pajiset me koka bërthamore./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›