E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË NË UNIVERSITETIN E SPORTEVE TË TIRANËS

V E N D I M

PëR

HAPJEN E PROGRAMEVE Të STUDIMEVE Të CIKLIT Të PARë Në UNIVERSITETIN E SPORTEVE Të TIRANëS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 42, të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Hapjen, në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe të Rekreacionit, të Universitetit të Sporteve të Tiranës, të programit të studimit të ciklit të parë “Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit”. Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet “Diplomë e nivelit të parë”, DNP, në “Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit”.

2. Hapjen, në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, të Universitetit të Sporteve të Tiranës, të programit të studimit të ciklit të parë “Shkenca të lëvizjes”, në bazë të riorganizimit të programit të studimit të ciklit të parë “Edukim fizik dhe sporte”. Në përfundim të studimeve lëshohet “Diplomë e nivelit të parë”, DNP, në “Shkencat e lëvizjes”.

3. Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite, ECTS dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 (tri) vite akademike.

4.Studentët, të cilët ndjekin studimet në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte”, në kohëzgjatjen normale, edhe pas daljes së këtij vendimi, e përfundojnë atë me të njëjtin emërtim të programit të studimit, për të cilin kanë filluar studimet. Studentët përsëritës i nënshtrohen programit të studimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë studimet.

5. Programi i studimit “Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit” të fillojë veprimtarinë e vet në vitin akademik 2010 – 2011.

6. Programi i studimit “Shkencat e lëvizjes” të fillojë veprimtarinë e vet në vitin akademik 2010 – 2011.

7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Universitetit të Sporteve të Tiranës, pa efekte buxhetore shtesë.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Sporteve të Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


30/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›