VENDIM PER HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR ARSIMIN E MESËM, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË, NË VITIN AKADEMIK
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR ARSIMIN E MESËM, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, në Fakultetin e Mësuesisë, të programeve të mëposhtme, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm:
a) Në lëndën “Matematikë”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë, master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për arsimin e mesëm, në lëndën matematikë;
b) Në lëndën “Informatikë”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë, master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për arsimin e mesëm, në lëndën informatikë.
2. Programet e studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.
3. Kuota e pranimeve në programet e studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, për vitin akademik 2008-2009, të jetë, si më poshtë vijon.
a) Në lëndën matematikë 30;
b) Në lëndën informatikë 30.
4. Kuota e pranimeve në programet e studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, për vitin akademik 2008-2009, të jetë sipas pikës 7/b/i, të vendimit nr.1337, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për programet e studimit të ciklit të dytë dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë, si edhe tarifat e shkollimit për programet e studimit, të miratuara për vitin akademik 2008-2009”.
5. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
10/10/2008