VENDIM PER HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR CIKLIN E LARTË TË ARSIMIT BAZË, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, NË UNIVERSITETIN “EQEREM ÇABEJ”, GJIROKASTËR
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR CIKLIN E LARTË TË ARSIMIT BAZË, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, NË UNIVERSITETIN “EQEREM ÇABEJ”, GJIROKASTËR, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në universitetin “Eqeren Çabej”, Gjirokastër, në Fakultetin e Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, të programeve të studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, si më poshtë vijon:
a) Në lëndët “Biologji-Kimi”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë, master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët biologji-kimi;
b) Në lëndët “Matematikë”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë, master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët matematikë-informatikë;
c) Në lëndët “Matematikë-Fizikë”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë, master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët matematikë-fizikë;
ç) Në lëndën “Gjuhë-angleze”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë, master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndën gjuhë-angleze.
2. Programet e studimeve, master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.
3. Kuota e pranimeve në programet e studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, për vitin akademik 2008-2009, të jetë, si më poshtë vijon:
a) Në lëndët biologji-kimi 40;
b) Në lëndët matematikë-informatikë 60;
c) Në lëndët matematikë-fizikë 60;
ç) Në lëndën gjuhë-angleze 50.
4. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në këto programe studimi, në vitin akademik 2008-2009, të jetë sipas pikës 7/b, të vendimit nr.1337, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për programet e studimit të ciklit të dytë dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë, si edhe tarifat e shkollimit për programet e studimit, të miratuara për vitin akademik 2008-2009”.
5. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
10/10/2008