VENDIM PER KRIJIMIN E INSPEKTORATIT KOMBËTAR TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
V E N D I M
PëR
KRIJIMIN E INSPEKTORATIT KOMBëTAR Të ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995, “Për arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (IKAP), person juridik, publik dhe buxhetor, në varësi të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. IKAP-ja e ka selinë në Tiranë.
2. IKAP-ja është institucion i posaçëm i inspektimit, monitorimi, vlerësimit e këshillimit të cilësisë së arsimit parauniversitar dhe funksionimit të strukturave menaxhuese të tij (shkolla, drejtori arsimore rajonale, zyra arsimore).
3. Kryeinspektori emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
4. Inspektorët emërohen nga kryeinspektori, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
5. Marrëdhëniet e punës rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
6. IKAP-ja kryen këto funksione kryesore:
a) Inspekton, monitoron, vlerëson, këshillon dhe nxjerr përfundime mbi zhvillimin e procesit mësimor-edukativ, menaxhimin e bazës materialo-didaktike të shkollës;
b) Verifikon pajtueshmërinë e veprimtarisë të institucioneve arsimore me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, udhëzimet e ministrit të Arsimit dhe Shkencës për DAR/ZA-t dhe për institucionet shkollore;
c) Monitoron problemet që paraqiten në shkollë me tekstin shkollor;
ç) Monitoron zbatimin e dispozitave normative të shkollës, kodit të etikës së mësuesit, punën e bordit të shkollës si dhe të organeve demokratike të saj;
d) Inspekton zbatimin e rregulloreve të maturës shtetërore dhe provimeve të lirimit.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2010, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
03/02/2010