VENDIM PER DEKLARIMIN E DETYRUESHËM TË DEKLARATAVE TATIMORE DHE TË DOKUMENTEVE TË TJERA TATIMORE, VETËM NËPËRMJET FORMËS ELEKTRONIKE
V E N D I M
PëR
DEKLARIMIN E DETYRUESHëM Të DEKLARATAVE TATIMORE DHE Të DOKUMENTEVE Të TJERA TATIMORE, VETëM NëPëRMJET FORMëS ELEKTRONIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 65, të ligjit nr.9920 datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin e detyrueshëm, vetëm nëpërmjet formës elektronike, të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, objekt i këtij vendimi, me të cilat nënkuptohen:
a) Deklarata tatimore, në kuptim të këtij vendimi, janë formularët:
i) e deklarimit dhe të pagesës së TVSH-së;
ii) e deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat nga punësimi;
iii) e deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin;
iv) e deklarimit dhe të pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore.
b) Dokumente tatimore, në kuptim të këtij vendimi, janë librat e blerjes dhe të shitjes.
2. Subjektet e regjistruara pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore, dhe të librave të blerjes e të shitjes, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha tatimore, nga data1 janar 2010.
3. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të regjistruara pranë drejtorive rajonale tatimore duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore dhe të librave të blerjes e të shitjes, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha tatimore, nga data 1 mars 2010.
4. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha nga data 1 korrik 2010.
5. Entet shtetërore janë të detyruara të paraqesin deklaratat tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha tatimore, nga data 1 mars 2010.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për nxjerrjen e udhëzimit, në zbatim të këtij vendimi.
7. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
03/02/2010