VENDIM PER MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ORGANIZIMIN E KOHËS SË PUNËS SË PERSONAVE, QË KRYEJNË TRANSPORT RRUGOR, PËR ORËT E DREJTUESVE TË MJETEVE DHE PAJISJET E REGJISTRIMIT
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ORGANIZIMIN E KOHËS SË PUNËS SË PERSONAVE, QË KRYEJNË TRANSPORT RRUGOR, PËR ORËT E DREJTUESVE TË MJETEVE DHE PAJISJET E REGJISTRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 224, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, «Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë », të ndryshuar, dhe të neneve 76, pika 2, e 97, pika 1, shkronja « e », të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, « Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë », të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Miratimin e rregullores për organizimin e kohës së punës së personave, që kryejnë transport rrugor, të lëvizshëm, për orët e drejtuesve të mjeteve dhe pajisjet e regjistrimit, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Nenet 342 e 343, pikat 2 e 3, të vendimit nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, «Rregullorja në zbatim të Kodit Rrrugor », të ndryshuar, shfuqizohen.
3. Pika 2, e vendimit nr.360, datë 25.3.1996, të Këshillit të Ministrave, « Për rregullimin e kohës së punës dhe të pushimit në ndërmarrjet e transportit automobilistik, hekurudhor, detar dhe ajror, dhe ndërmarrjet, që mirëmbajnë dhe riparojnë mjetet e transportit », si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë rregullore, shfuqizohen.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në « Fletoren zyrtare ».
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA