VENDIM PËR DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E SHKOLLËS PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË , “PAVARËSIA”
VENDIM
PËR DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E SHKOLLËS PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË , “PAVARËSIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e lejes për hapjen e shkollës private të arsimit të lartë “Pavarësia”, e cila do ta ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Vlorës.
2. Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia”, do të organizohet në dy fakultete:
a) Në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Shkencave Shoqërore, me programet e studimit në “Drejtësi”, “Ekonomi” dhe “Shkenca politike”, në formën e studimeve me kohë të plotë;
b) Në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara, me programet e studimit, “Inxhinieri informatike” dhe “Arkitekturë”, në formën e studimeve me kohë të plotë.
3. Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia”, në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara, do të ofrojë programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë për “Arkitekturë”, i cili do të zgjasë 5 vite, dhe në mbarim të tij do të lëshojë “Diplomë të integruar, të nivelit të dytë” (DIND), në “Arkitekturë”, ndërsa programi tjetër i këtij fakulteti dhe programet e fakultetit të Ekonomisë dhe Shkencave Shoqërore do të jenë programe studimi, të ciklit të parë, të cilat do të zgjasin 3 (tri) vite dhe në mbarim të tyre do të lëshojnë “Diplomë të nivelit të parë (DNP)”, përkatësisht, në:
c) Drejtësi;
d) Ekonomi;
e) Shkenca politike;
ç) Inxhinieri informatike.
4. Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia”, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga personel akademik i huaj, me kualifikim të nevojshëm.
5. Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia” do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, por jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni privat i arsimit të lartë ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij, për këtë qëllim.
6. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, të bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
7. Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia” duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
8. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
12/03/2009