Kryeministri Berisha merr pjesë në pritjen e kompanisë së telefonisë celulare “Eagle Mobile”

- Kryeministri u shpreh se suksesi i Çalýk është dëshmi e një mjedisi miqësor ndaj biznesit turk dhe biznesit ndërkombëtar që ekziston në Shqipëri
Kryeministri Berisha mori pjesë në pritjen koktej që dha sot në mbrëmje kompania e telefonisë celulare “Eagle Mobile”, në hotel Sheraton, me rastin e një vjetorit të aktivitetin e saj në Shqipëri.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha i shprehu përshëndetje të përzemërta Drejtorit të Përgjithshëm të ‘Eagle Mobile’ z. Ahmet Çalýk për përvjetorin e parë dhe të suksesshëm të kompanisë që drejton, duke bërë njëkohësisht dhe një transformim rrënjësor të telekomunikacionit në Shqipëri. “Jam këtu për t’ju përcjellë përshëndetjet më të përzemërta zotit Ahmet Çalýk dhe ekipit të tij në këtë përvjetor të parë, përvjetor të një suksesi të vërtetë. Alhmet Çalýk me dashurinë dhe përkushtimin e tij ndaj Shqipërisë, po bën një transformim rrënjësor të telekomunikacionit të vendit. Sapo u njohëm me ngjitjen e rrufeshme të “Eagle Mobile” dhe me spektrin gjerë të shërbimeve që kjo kompani 1 vjeçare u ofron sot qytetarëve e shqiptarë. Për këtë unë dua të përgëzoj zotin Çalýk dhe të gjithë ekipin e tij, por dua të falënderoj përzemërsisht për transformimin e thellë që i ka bërë telekomunikacionit shqiptar dhe në veçanti Telekomit, duke e shndërruar në një furnizues të shkëlqyer të internetit, vendosjen me shpejtësi dhe falas të moduleve të tij ADSL”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se suksesi i Çalýk është dëshmi e një mjedisi miqësor ndaj biznesit turk dhe biznesit ndërkombëtar që ekziston në Shqipëri. “Ahmet Çalýk është biznesmen i fjalës. Unë kam ardhur këtu sot për të nderuar si investimet e tij të mëdha, por edhe korrektësinë dhe vendosmërinë e tij për të zbatuar më përpikëri programin e shpallur në interes të modernitetit të telekomunikacionit shqiptar. Në një kohë të shkurtër u shndërrua në flamurin e biznesit turk në Shqipëri. Investimet turke gjatë këtyre viteve janë rritur me shpejtësi të madhe. Ato arrin në vlerën e rreth 860 milionë euro dhe po shkojnë drejt 1 miliardë euro. Suksesi i Çalýk është dëshmi e një mjedisi miqësor ndaj biznesit turk dhe biznesit ndërkombëtar që ekziston në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha siguroi zotin Çalýk, të gjithë investitorët e huaj dhe vendas në Shqipëri, se ajo që është bërë në këto katër vjet për biznesin është vetëm një bazë e fuqishme për transformime të tjera rrënjësore në favor të tij.
12/03/2009