VENDIM PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË KODIT DOGANOR”, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË KODIT DOGANOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 13, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, t¸ ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pjesën I, titulli II, kreu I, të vendimit nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime e shtesa:
1. Lidhja 1, “Struktura organike”, që përmendet në pikën 3, zëvendësohet me lidhjen nr.1, “Struktura e organika e administratës doganore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në pikën 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Nënpika 5.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5.2. Drejtoria e Origjinës dhe Tarifës, që përbëhet nga:
a) Sektori i tarifës;
b) Sektori i origjinës;
c) Sektori i akcizës, TVSH-së.
Kjo drejtori harton dhe përditëson nomenklaturën e mallrave dhe tarifën doganore, si dhe administron shënimet (notat) shpjeguese, jep informacion tarifor të detyrueshëm (ITD) dhe administron operacionet e privilegjuara. Gjithashtu, kjo drejtori administron origjinën e mallrave, sipas marrëveshjeve preferenciale përkatëse, procedurat e lëshimit të certifikatave të origjinës preferenciale, ndjek zbatimin e masave të politikës tregtare, të kuotave dhe të tavaneve tarifore dhe të masave antidumping. Drejtoria e Origjinës dhe Tarifës mbikëqyr rregullat për akcizën, TVSH-në dhe taksat e tjera në import.”.
b) Pas nënpikës 5.5 shtohet nënpika 5.6, me këtë përmbajtje:
“5.6. Drejtoria e Vlerës Doganore, që përbëhet nga:
a) Sektori i mbikëqyrjes së vlerës doganore;
b) Sektori i referencave.
Kjo drejtori administron dispozitat, që kanë të bëjnë me procesin e vlerësimit doganor të mallrave, si dhe ndjek përditësimin e kursit të këmbimit. Drejtoria ndërton vlerat referuese, bazuar në burimet e miratuara, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre. Drejtoria e Vlerës Doganore siguron përditësimin e dosjes me të dhënat e disponueshme, si dhe përgatit e administron udhëzimet dhe urdhërat, që kanë të bëjnë me vlerën doganore. Në bashkëpunim me degët doganore dhe strukturat e tjera të sistemit doganor, kjo drejtori siguron zbatimin korrekt dhe unifikimin e vlerës doganore të mallrave.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
12/08/2009