E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.781, DATË 14.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KARAKTERISTIKAT TEKNIKE E FUNKSIONALE TË PAJISJEVE FISKALE, SISTEMIT TË INTEGRUAR TË KOMPJUTERIZUAR PËR TRANSFERIMET PERIODIKE, AUTOMATIKE, TË DEKLARIMEVE

V E N D I M

 

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.781, DATË 14.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KARAKTERISTIKAT TEKNIKE E FUNKSIONALE TË PAJISJEVE FISKALE, SISTEMIT TË INTEGRUAR TË KOMPJUTERIZUAR PËR TRANSFERIMET PERIODIKE, AUTOMATIKE, TË DEKLARIMEVE FINANCIARE, SISTEMIT TË KOMUNIKIMIT, PËR PROCEDURËN E DOKUMENTACIONIT PËR MIRATIMIN E TYRE, DHE PËR KRITERET PËR PAJISJEN, ME AUTORIZIM, TË SHOQËRIVE, TË AUTORIZUARA PËR OFRIMIN  E PAJISJEVE FISKALE”

Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102 të Kushtetutës, dhe të nenit 7, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

 

Në vendimin nr.781, datë 14.11.2007, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1.     Nënpika 2.3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.3.  Sistemi i komunikimit, ndërmjet tatimpaguesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara.

Sistemi i komunikimit, ndërmjet shoqërive të regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duhet të realizohet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Shoqëritë e regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj, të cilat përdorin pajisje, sipas kërkesave të këtij vendimi, duhet të sigurojnë transmetimin e të dhënave të xhiros së pajisjes fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në formë elektronike, në mënyrë të detyrueshme, nëpërmjet sistemit GPRS ose me ndonjë formë tjetër transmetimi, duke e marrë këtë shërbim nga shoqëritë në treg, që ofrojnë një shërbim të tillë, brenda datës 30 prill 2009. Transmetimi i të dhënave mujore të xhiros në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet brenda datës 10, të muajit pasardhës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hyn në marrëveshje kontraktuale bashkëpunimi me operatorët e telefonisë celulare, për sigurimin e shërbimit sipas kësaj skeme.”.

2.     Pika 38 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“38.  Personat, juridikë dhe fizikë, që do të mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik, janë të detyruar të mbajnë regjistrimet, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, sipas kalendarit të mëposhtëm:

a)     Brenda periudhës nëntor 2008- maj 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale e Tiranës.

b)     Brenda periudhës janar-dhjetor 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimpagues të tatimit mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore.

c)      Brenda periudhës qershor 2010, personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë, edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil.

ç) Brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë, të biznesit të vogël.

Nuk janë të detyruar të përdorin regjistruesin elektronik fiskal, sipas kërkesave të këtij vendimi, profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit, të përcaktuara në aneksin nr.5, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”.

Rregullat dhe procedurat e instalimit dhe të përdorimit të pajisjeve fiskale janë njëlloj të zbatueshme si për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për tatimpaguesit e biznesit të vogël.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI BERISHA


12/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›