E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1392, DATË 17.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR VIRUA- GJIROKASTËR”

V E N D I M

 

PËR

 

 

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1392, DATË 17.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR VIRUA- GJIROKASTËR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

 

 

1.     Në pikën 3, të vendimit nr.1392, datë 17.10.2008, të Këshillit të Ministrave, të bëhen shtesat, si më poshtë vijon:

i)      Sipërfaqjes së tokës truall 3 827 m2  i shtohen edhe  460 m2.

ii)     Vlerës së tokës truall nga 70 642 101 (shtatëdhjetë milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë e njëqind e një) lekë, i shtohen edhe 10 423 140 (dhjetë milionë e katërqind e njëzet e tre mijë e njëqind e dyzet) lekë;

iii)    Vlerës së objekteve 17 977 763 (shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë i shtohen edhe 2 011 075 (dy milionë e njëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e pesë) lekë.

iv)    Vlerës së përgjithshme të shpronësimit 88 867 619 (tetëdhjetë e tetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë) lekë i shtohen edhe 12 434 215 (dymbëdhjetë milionë e katërqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë) lekë.

2.     Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.

3.     Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

4.     Vlera e përgjithshme e shpronësimit 12 434 215 (dymbëdhjetë milionë e katërqind e tridhjetë e katër mijë e  dyqind e pesëmbëdhjetë) lekë të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”.

5.     Pronarët e shënuar në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët bëhet shënimi “Konfirmim nga ZRPP”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Për objektet, pronarët, përveç dokumentacionit të pronësisë, duhet të paraqesin dhe dokumentacionin tekniko-ligjor.

6.     Shpronësimi shtesë të fillojë më 30 prill 2009 dhe të përfundojë më  30 korrik 2009.

7.     Për pasuritë, për të cilat është bërë shënimi proces gjyqësor, do të kompensohet, për efekt shpronësimi, pronari, që do të rezultojë si i tillë me vendim të formës së prerë të gjykatës.

8.     Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likujdimin e pronarëve brenda afatit të parashikuar në pikën 5, të këtij vendimi.

9.     Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


22/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›