VENDIM PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 7.7.2009, PËR ÇËSHTJEN NR.25336/04, “GRORI KUNDËR SHQIPËRIS˔
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 7.7.2009, PËR ÇËSHTJEN NR.25336/04, “GRORI KUNDËR SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të konventës evropiane për të drejtat e njeriut, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e konventës evropiane “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore””, e të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 7.7.2009, për çështjen nr.25336/04, “Grori kundër Shqipërisë”, në shumën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin, në masën 10 për qind të kësaj shume.
2. Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati, brenda të cilit duhet kryer ky ekzekutim, është data 7.9.2009.
3. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Shuma e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Arben Grori, dhe të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së llogarisë.
5. Pagesa e kësaj shume në favor të ankuesit, z. Arben Grori, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes të të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
05/08/2009