VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR CIKLIN E LARTË TË ARSIMIT BAZË, PRANË UNIVERSITETIT “FAN.S.NOLI”, KORÇË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR CIKLIN E LARTË TË ARSIMIT BAZË, PRANË UNIVERSITETIT “FAN.S.NOLI”, KORÇË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, pranë Universitetit “Fan.S.Noli”, Korçë, në Fakultetin e Mësuesisë, të programeve të mëposhtme, master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë:
a) në lëndët “Gjuhë-Letërsi”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët gjuhë-letërsi;
b) në lëndët “Gjuhë angleze”, në përfundim të të cilit do të lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndën gjuhë angleze.
2. Programet e studimeve master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.
3. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Universitetin “Fan.S.Noli”, Korçë.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti “Fan.S.Noli”, Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA