VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMEVE TË DOKTORATËS, NË FAKULTETIN E MJEKËSISË VETERINARE, TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS, SI DHE MIRATIMIN E KUOTAVE DHE TË TARIFËS PËR KËTË PROGRAM
PËR
HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMEVE TË DOKTORATËS, NË FAKULTETIN E MJEKËSISË VETERINARE, TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS, SI DHE MIRATIMIN E KUOTAVE DHE TË TARIFËS PËR KËTË PROGRAM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të programit të studimeve, të ciklit të tretë, të doktoratës, në mjekësi veterinare.
2. Në përfundim të këtij programi studimesh të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr), në mjekësi veterinare.
3. Kohëzgjatja e këtij programi studimesh të doktoratës është, të paktën, 3 (tri) vite, ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara.
4. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin 2009, është 30.
5. Tarifa e shkollimit është 400 000 (katërqind mijë) lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Doktorantët, nga stafi akademik i brendshëm i institucioneve të arsimit të lartë, paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Universitetin Bujqësor të Tiranës.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
29/07/2009