E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR LICENCIMIN E INSTITUCIONIT PRIVAT “SHKOLLA E LARTË NDËRKOMBËTARE E TIRANËS”

V E N D I M

 

PËR

 

LICENCIMIN E INSTITUCIONIT PRIVAT “SHKOLLA E LARTË NDËRKOMBËTARE E TIRANËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Licencimin e institucionit privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, e cila do ta ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

2.     “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” do të organizohet në dy fakultete:

a)     Në Fakultetin e Drejtësisë, me programin e studimit, me kohë të plotë, në “Drejtësi”;

b)     Në Fakultetin e Ekonomisë, me programet e studimit, me kohë të plotë, në:

i) “Ekonomi-Financë”;

  ii) “Ekonomi-Menaxhim”.

3. “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” do të ofrojë programe studimi të ciklit të parë, të cilat do të zgjasin 3 (tri) vite, dhe, në mbarim të tyre, do të lëshojë “Diplomë të nivelit të parë (DNP)”, përkatësisht, në:

a)     Drejtësi;

b)     Ekonomi-Financë;

c)     Ekonomi-Menaxhim.

4.     Ngarkohet “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga personel akademik i huaj, me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialiteteve.

5.     “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës” do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni privat i arsimit të lartë ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

6.     Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera të bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

7.     “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”  duhet t’i  nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

8.     Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë së institucionit dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


18/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›