VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E DETYRAVE, PËRGJEGJËSIVE TË BORDIT TË QIRADHËNIES, PROCEDURAVE TË DHËNIES ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE TË PAKULTIVUARA DHE KONTRATËS TIP TË QIRADHËNIES SË TYRE
V E N D I M
PëR
PëRCAKTIMIN E DETYRAVE, PëRGJEGJëSIVE Të BORDIT Të QIRADHëNIES, PROCEDURAVE Të DHëNIES ME QIRA Të TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA DHE KONTRATëS TIP Të QIRADHëNIES Së TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, të ligjit nr.10 263, datë 8.4.2010, “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DETYRAT DHE PëRGJEGJëSITë E BORDIT Të QIRADHëNIES Të TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA (Më POSHTë BQ)
BQ krijohet dhe funksionon në çdo komunë dhe/ose bashki, me përbërjen e përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr. 10 263, datë 8.4.2010, “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, dhe ka për detyrë e mban përgjegjësi për:
a) ushtrimin e veprimtarisë në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, të ligjit nr. 10 263, datë 8.4.2010, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) njoftimin për dhënien me qira të tokave bujqësore të pakultivuara, brenda afateve të parashikuara në këtë vendim;
c) garantimin e një konkurrence, të lirë dhe të barabartë ndërmjet subjekteve pjesmarrëse të ankandit të dhënies me qira të tokave bujqësore të pakultivuara;
ç) përcaktimin e fituesit të ankandit të dhënies me qira të tokave bujqësore të pakultivuara.
II. NJOFTIMI PëR QIRADHëNIEN E TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA
1. Njoftimi për dhënien me qira të tokave bujqësore të pakultivuara shpallet në një vend të dukshëm të fshatit, në qendrën e komunës dhe/ose bashkisë dhe, kur është e mundur, bëhet edhe në mediat lokale.
Ky njoftim përmban:
- vendndodhjen e tokave (fshati ku shtrihet);
- numrin kadastral ose numrin e pasurisë së ngastrës (parcelës) që jepet me qira;
- madhësinë e sipërfaqes së ngastrës/pronësisë;
- identitetin e pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës;
- kohëzgjatjen (në vite) të dhënies së tokës me qira;
- kategorinë e sipërfaqes së tokës që jepet me qira, sipas bonitetit.
2. Të gjitha komunat dhe/ose bashkitë e vendit, njoftimin për qiradhënien e tokave bujqësore të pakultivuara e shpallin brenda datës 6 shkurt, me kohë zgjatjeje të tij deri në 15 ditë.
Personat fizikë apo juridikë i paraqesin kërkesat, me shkrim, për qiramarrje të tokave bujqësore të pakultivuara brenda datës 25 shkurt.
3. Komuna dhe /ose bashkia, njofton, me shkrim, sipas adresave të shënuara në kërkesë, të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë ushtruar kërkesë për qiramarrje të tokave bujqësore të pakultivuara për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të ankandit të qiradhënies së tokave.
Ky njoftim bëhet brenda muajit shkurt.
Periudha e zhvillimit të ankandit është e njëjtë për të gjitha njesitë e qeverisjes vendore dhe fillon më 1 mars e mbaron më 20 mars të çdo viti.
Data e zhvillimit të ankandit për çdo komunë dhe/ose bashki, brenda periudhës së përcaktuar për zhvillimin e tyre, propozohen nga secili kryetar komune dhe/ose bashkie dhe grafiku i zhvillimit të tyre koordinohet me drejtorin e Drejtorisë Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokave (DAMT) të qarkut, i cili cakton edhe punonjësit e këtij institucioni si pjesmarrës në përbërje të BQ-së për çdo komunë dhe/ose bashki.
III. PARAQITJA E OFERTAVE PëR QIRAMARRJE Të TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA
1. Konkuruesit për marrje me qira të tokave bujqësore të pakultivuara, persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, i paraqesin ofertat e tyre për qiramarrje në afatin e përcaktuar në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi.
Për çdo parcelë (ngastër) apo tokë në pronësi oferta paraqitet e veçantë.
Në çdo rast kur në komunë dhe/ose bashki paraqiten oferta pas afatit të sipërshënuar, mund të zhvillohet një ankand tjetër në periudhën 20 prill deri në 10 maj të atij viti.
2. Oferta, e mbyllur në zarf, i paraqitet sekretarit të komunës dhe/ose bashkisë, i cili i regjistron këto me numra të veçantë.
Sekretari i komunës dhe/ose bashkisë i kërkon ofertuesit që, në zarfin e mbyllur, të paraqitur për konkurim, të shënojë:
a) në faqen ballore, të jashtme:
- numrin e parcelës (ngastrës) apo pronësisë për të cilën konkuron;
- vendndodhjen (fshatin) ku shtrihet parcela/prona për të cilën ushtron kërkesën për qiramarrje;
b) në faqen e pasme, të jashtme:
- identitetin, vendbanimin dhe numrin e telefonit të tij.
3. Oferta e mbyllur në zarf përmban:
- identitetin e kërkuesit dhe vendbanimin (qëndrimin) e tij;
- ngastrën (parcelën) apo pronësinë që kërkon ta marrë me qira, të identifikuar me numrin e saj kadastral ose të pronësisë, si dhe vendndodhjen (fshatin) ku shtrihet ngastra;
- kulturën apo kulturat bujqësore që do të mbillen në tokën e kërkuar për qiramarrje;
- afatin (në vite) të qiramarrjes së tokës;
- nivelin e vlerës vjetore, lekë/ha, me të cilën kërkon qiramarrjen.
3. Një person fizik ose juridik, mund të konkurojë për një ose më shumë ngastra (parcela)/pronësi brenda të njëjtit fshat, si dhe në fshatra të tjerë brenda juridiksionit të komunës dhe/ose bashkisë.
IV. PROCEDURAT E SHQYRTIMIT Të OFERTAVE DHE VENDIMMARRJA
1. BQ i komunës dhe/ose bashkisë mblidhet me pjesmarrje të plotë të anëtarëve, në datën, orën dhe vendin e caktuar në njoftim.
Shqyrtimi i kërkesave për qiramarrjen dhe vendimet e BQ-së kanë vlefshmëri ligjore vetëm kur këto merren me praninë e të gjithë anëtarëve të tij, sipas përbërjes të caktuar me ligj.
Veç anëtarëve të BQ-së, në hapjen e ofertave marrin pjesë të gjithë ofertuesit ose përfaqësuesit e tyre, të pajisur me prokurë dhe dokument identifikimi, të cilët konkurrojnë për qiramarrje të tokave bujqësore të pakultivuara të fshatit përkatës ku ndodhen këto toka.
2. BQ-ja, pasi mbaron shqyrtimin e të gjitha kërkesave në një fshat, tërhiqet për të marrë vendim pa pjesmarrjen e konkuruesve.
Zhvillimi i kësaj procedure vijon radhazi për çdo fshat të juridiksionit të komunës dhe/ose bashkisë.
3. BQ vlerëson me përparësi ofertuesin që ka përcaktuar nivelin më të lartë të vlerës vjetore të qirasë, lekë/ha, në raport me kufirin më të ulët (çmimin dysheme), të përcaktuar në nenin 15, të ligjit nr 10 263, datë 8.4.2010, “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”.
Kur rezultojnë dy ose më shumë oferta me të njëjtin nivel qiraje të vlerës vjetore, lekë/ha, për të njëjtën parcelë (ngastër)/pronë, bordi e vlerëson si fituese ofertën që ka kohëzgjatje më të madhe të qiramarrjes (në vite).
Kur edhe ky tregues, në dy ose më shumë oferta rezulton i njëjtë, bordi organizon hedhjen e shortit ndërmjet konkurruesve.
4. BQ-ja shpall vendimet e akandit dhe ua komunikon pjesmarrësve në ankand brenda 5 (pesë) ditëve, nga data zhvillimit të akandit.
Vendimet në BQ-së, merren kur për to votojnë më shumë se gjysma e anëtarëve.
5. Konkuruesit në ankand kanë të drejtë ankimi te kryetari i komunës dhe/ose bashkisë ndaj vendimit të dhënë nga BQ-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dalja e vendimit.
Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë e shqyrton ankesën brenda 10 (dhjetë) ditëve.
6. Kundër vendimit të kryetarit të komunës dhe/ose bashkisë, konkurruesit mund të ushtrojë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ndodhet toka.
V. QIRADHëNIA PA ANKAND E TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA
1. Kur për një ngastër (parcelë) apo tokë në pronësi është paraqitur vetëm një ofertë, BQ-ja, me përbërje të plotë, shqyrton ofertën e paraqitur.
2. Mbledhja e BQ-së, marrja e vendimit dhe shpallja e tij bëhet sipas afateve procedurale të përcaktuara në kreun II, të këtij vendimi.
3. Niveli i vlerës së qiradhënies vjetore, lekë/ha, vendoset sipas kërkesës së ushtruar, por jo më i ulët se kufiri i përcaktuar (çmimi dysheme) në nenin 15, të ligjit nr 10 263, datë 8.4.2010, “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”.
VI LIDHJA E KONTRATëS, FORMA DHE PëRMBAJTJA
1. Ndërmjet komunës dhe/ose bashkisë, si autoritet qiradhënës, të përfaqësuar nga kryetari, dhe fituesit të akandit ose kërkuesit të marrjes me qira të tokës bujqësore të pakultivuar, nënshkruhet kontrata me përmbajtjen dhe formën sipas lidhjes nr. 1, të këtij vendimi.
2. Në rastin kur personi i shpallur fitues nga BQ-ja refuzon lidhjen e kontratës, ftohet, për lidhjen e kontratës, fituesi i vendit të dytë, të tretë e kështu me radhë.
3. Në kontratë, te elementi “Objekti” pasqyrohen një për një të gjitha parcelat (ngastrat) apo pronësitë për të cilat lidhet kontrata ndërmjet palëve.
4. Dokumentacioni i dhënies me qira të tokave bujqësore të pakultivuara ruhet, në mënyrë të përhershme, pranë komunës dhe/ose bashkisë.
VII. DISPOZITA E FUNDIT
Ngarkohen kryetarët e komunave dhe/ose bashkive, drejtorët e DRBUMK-ve, DAMT-të në këshillat e qarqeve, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
28/07/2010