E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË VLERËSIMIT, TË MËNYRAVE DHE TË PROCEDURAVË TË DHËNIES NË PËRDORIM E TË TJETËRSIMIT TË PASURIVE TË KONFISKUARA, NË ZBATIM TË LIGJIT NR.10 192, DATË 3.12.2009

V E N D I M


PëR

PëRCAKTIMIN E KRITEREVE Të VLERëSIMIT, Të MëNYRAVE DHE Të PROCEDURAVë Të DHëNIES Në PëRDORIM E Të TJETëRSIMIT Të PASURIVE Të KONFISKUARA, Në ZBATIM Të LIGJIT NR.10 192, DATë 3.12.2009


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 34, të ligjit nr.10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :


KREU I

1. Procedurave, të parashikuara në këtë vendim, do t’i nënshtrohen të gjitha pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, në zbatim të dispozitave të ligjit nr.10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.


2. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor të konfiskimit, i paraqet ministrit të Financave raportin e vlerësimit tekniko-financiar, për pasurinë e konfiskuar.

3. Agjencia ua përcjell vendimin e gjykatës institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e pasurive. Këto institucione bëjnë kalimin e pronësisë në emër të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Tarifat e shërbimit përballohen nga fondet e Agjencisë. Taksat dhe detyrimet e tjera, të mbartura në ngarkim të pasurisë, deri në çastin e shitjes, përballohen nga Agjencia.

4. Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, në bazë të raportit tekniko-financiar dhe të nevojave të institucioneve të zbatimit të ligjit, në mbledhjen e radhës, bën rekomandimet për mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara, të cilat ia paraqet ministrit të Financave.

5. Ministri i Financave, në bazë të rekomandimeve të Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar e të raportit të vlerësimit tekniko-financiar të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vendos për dhënien në përdorim ose tjetërsimin e pasurive të konfiskuara, si dhe jep udhëzime konkrete për destinacionin, mënyrën dhe kushtet e përdorimit të pasurive.

KREU II
DHëNIA Në PëRDORIM

1. Institucionet e zbatimit të ligjit, njësitë e qeverisjes vendore, si dhe organizatat jofitimprurëse, për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar, janë subjektet që përfitojnë nga dhënia në përdorim.

2. Format e përdorimit janë:

a) Kalimi në përgjegjësi administrimi, për institucionet qendrore;
b) Kalimi në pronësi, për njësitë e qeverisjes vendore;
c) Dhënia në huapërdorje, për subjektet e tjera përfituese.

3. Për procedurën e dhënies në përdorim të pasurive të konfiskuara, përfituesi duhet të paraqesë një kërkesë, ku të përcaktohet shprehja e interesit të motivuar e të argumentuar.

4. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara mbikëqyr veprimtarinë e përfituesit në përdorimin e pasurive të konfiskuara, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga ministri i Financave.

5. Përfituesi i raporton Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Agjencia i raporton, një herë në vit, Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar për pasuritë e konfiskuara, të dhëna në përdorim, si dhe paraqet raporte me kërkesë të këtij të fundit.

KREU III
TJETëRSIMI

1. Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në rastet e tjetërsimit të pasurisë së konfiskuar, ngre një komision për vlerësimin e çmimit të shitjes së pasurisë, i cili ka në përbërje:

a) një specialist të kësaj Agjencie;
b) një specialist të Ministrisë së Financave;
c) një ekspert vlerësues të licencuar.

Për punën e kryer, eksperti vlerësues shpërblehet sipas legjislacionit përkatës, ndërsa anëtarët e tjerë të komisionit shpërblehen me urdhër të ministrit të Financave.

2. Vlerësimi i pasurive bëhet nga komisioni i vlerësimit, në zbatim të legjislacionit në fuqi, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut, si dhe duke pasur parasysh llojin e pasurisë, të dhënat e saj, gjendjen fizike, vendndodhjen, destinacionin ekonomik, etj. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi ligjore për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij (genplane, situacione, aktvlerësime etj.).

Komisioni nxjerr vlerësimin përfundimtar, duke marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me tregun, por që ndikojnë në vlerën reale të shitjes. Raporti i vlerësimit të çmimit të shitjes shoqërohet me raportin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar dhe, në rastet e shoqërive tregtare, nga raporti i vlerësimit kontabël. Ministri i Financave autorizon kryeadministratorin e AAPSK-së, rast pas rasti, për emërimin e ekspertit kontabël.

3. Dosja me dokumentacionin ligjor dhe vlerësimin i përcillen Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në Ministrinë e Financave.
Dosja përmban dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Vendimin e gjykatës, i cili ka marrë formë të prerë, referuar dispozitave të ligjit nr.10 192, datë 3.12.2009;
b) Procesverbalin për gjendjen fizike të pasurisë, në çastin e shitjes, të mbajtur sipas formatit të caktuar nga AAPSK-ja;
c) Dokumentacionin ligjor, që vërteton pronësinë (vërtetim hipotekor+kartelë dhe certifikatë pronësie, nëse ka) .
ç) Aktin e vlerësimit të çmimit të shitjes së pasurisë, të mbajtur nga komisioni përkatës.
d) Kopje të raportit tekniko-financiar, për pasurinë e konfiskuar.

4. Shitja e pasurive të konfiskuara të bëhet me ankand publik. Procedura e ankandit kryhet nga Drejtoria së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. Në komisionin e ankandit merr pjesë edhe një përfaqësues i AAPSK-së, si anëtar.

Pasuria nxirret në ankand dy herë radhazi, në interval kohor jo më pak se 1 (një) muaj. Në ankandin e dytë do të zbatohet i njëjti çmim si në ankandin e parë. Në rast se ankandi dështon dhe herën e dytë, ministri i Financave, me rekomandim të Komitetit Ndërinstitucional të Ekspertëve, mund të urdhërojë për masën e uljes së çmimit të shitjes.

5. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pasi ka pranuar dokumentet e vlerësimit të objektit, ndërmerr hapat përkatëse për botimin e njoftimit për shitje të objektit, si më poshtë vijon:

a) Periudha e botimit zgjat 21 (njëzet e një) ditë nga data e botimit të parë dhe bëhet në çdo botim të Buletinit të Njoftimeve Publike, brenda këtij afati. Dita e parë e botimit është data e përcaktuar në njoftimin e dërguar nga kjo Drejtori për botim. Brenda këtij afati, ky njoftim botohet edhe në një gazetë, me qarkullim kombëtar.
b) Botimin e listës së objekteve, që do të shiten, dhe shpalljen e kësaj liste në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, me të dhënat për çdo objekt.
c) Vendosjen, nga kjo Drejtori, të njoftimit me afishe, fillimisht, në mjediset e saj, për zhvillimin e ankandit të tyre.

6. Njoftimi për botim përmban të dhënat për:

a) vendin, datën dhe orën e zhvillimit të ankandit;
b) emërtimin dhe vendndodhjen e objektit, që do të shitet;
c) vlerën fillestare të ankandit;
ç) sipërfaqen e përgjithshme dhe atë nën objekt.

7. Pjesëmarrësit në ankand, pas regjistrimit të kërkesës në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kanë të drejtë të studiojnë dokumentacionin e vlerësimit, që ndodhet i depozituar në këtë drejtori, si dhe të njihen me gjendjen fizike të objektit.

8. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, harton dhe arkivon një procesverbal, ku të përcakohen:

a) kopja e buletinit;
b) kopja e afishimit në gazetë;
c) datat e botimit të njoftimeve;
ç) kopja e njoftimit me afishe.

9. Pjesëmarrësit në ankand duhet të paraqesin në vendin, datën dhe orën e njoftuar, në komisionin e ankandit, këto dokumente:

a) Kërkesën me shkrim për blerjen e objektit;
b) Garancinë bankare (apo mandatpagesën), që vërteton ngurtësimin e 20 për qind të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të AAPSK-së.
c) Deklarimin personal të secilit pjesëmarrës, që vërteton se ky i fundit nuk është në konflikt interesi, sipas dispozitave të ligjit nr.10 192, datë 3.12.2009.

10. Komisioni i ankandit kryesohet nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dhe ka në përbërje këta anëtarë:


a) Përfaqësuesin e Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave,;
b) Përfaqësuesin e AAPSK-së.

Anëtarët e komisionit të ankandit duhet të pajisen me autorizimin përkatës dhe pjesëmarrja e tyre, në datën dhe orën e caktuar për ankand, është e detyrueshme.

11. Komisioni i ankandit ka këto detyra:

a) Regjistron dhe vërteton identitetin e pjesëmarrësve në ankand, sipas letërnjoftimit, certifikatës së gjendjes civile ose me prokurë të veçantë të përfaqësimit;
b) Prezanton anëtarët e komisionit të ankandit;
c) Deklaron vlerën fillestare të ankandit;
ç) Deklaron hapjen e ofertave për vlerën fillestare për pjesëmarrësit në ankand;
d) Drejton marrjen e ofertave;
dh) Shpall personin e fundit, që deklaron çmimin më të lartë, si fitues i ankandit;
e) Siguron, që dhënia e ofertave të vazhdojë deri sa të ketë oferta të tjera, përpara shpalljes së fituesit.

12. Komisioni i ankandit harton një procesverbal, ku të shënohen:

a) se regjistrimi i identitetit të pjesëmarrësve në ankand është sipas letërnjoftimit, certifikatës së gjendjes civile ose prokurës së veçantë të përfaqësimit;
b) emrat e anëtarëve të komisionit të ankandit;
c) deklarimi i vlerës fillestare të ankandit;
ç) deklarimi i hapjes së ofertave për vlerën fillestare për pjesëmarrësit në ankand;
d) shpallja e personit të fundit, i cili deklaron çmimin më të lartë, si fitues i ankandit.

Komisioni i ankandit duhet të sigurojë, që dhënia e ofertave të vazhdojë deri sa të ketë oferta të tjera, përpara shpalljes së fituesit.
Procesverbali i ankandit duhet të nënshkruhet nga anëtarët e komisionit dhe pjesëmarrësit në ankand.

13. Pjesëmarrësve të tjerë në ankand, përveç fituesit, u kthehet 20% e vlerës fillestare, e ngurtësuar paraprakisht. Pjesëmarrësit në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë për vlerën e objektit të shpallur për shitje, i konfiskohet 20 % e garancisë bankare, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand.

14. Personi, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nëpërmjet ankandit, pajiset nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, me autorizim, për kalim pronësie, ku përcaktohen qartë detyrimet e blerësit.

15. Blerësi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e zhvillimit të ankandit, është i detyruar të bëjë pagesën në lekë të pjesës së mbetur të çmimit të arritur në ankand për objektin.

16. Nëse personi, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nuk paguan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pjesën e mbetur të çmimit të arritur në ankand, ai, si fitues ankandi, humbet të drejtën e blerjes, si dhe të marrjes pjesë në ankandin, që do të zhvillohet për rishitjen e këtij objekti. Pagesa 20%, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand, nuk i kthehet. Objekti rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e botimit nga e para, sipas këtij vendimi.

17. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pas pagesës së vlerës së plotë të objektit, është e detyruar të lidhë kontratën e shitjes ndërmjet palës shitëse (përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, përfaqësuesi i AAPSK-së) dhe blerësit privat.

18. Përfaqësuesi i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dhe përfaqësuesi i AAPSK-së janë të detyruar të përfundojnë dorëzimin, me procesverbal, të objektit që shitet, brenda 35 (tridhjetë e pesë) ditëve nga data e dhënies së autorizimit, nga Ministria e Financave, blerësit.
Dorëzimi i objektit bëhet, në mënyrë të detyrueshme, nga përfaqësuesi i Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesi i institucionit administrues (sipas komisionit të vlerësimit të ngritur), në prani të blerësit.

19. Të ardhurat e realizuara nga shitja e pasurive të konfiskuara, pasi u zbriten detyrimet, ndahen, si më poshtë vijon:

a) 50 % e vlerës kalon në fondin e posaçëm, të parashikuar në ligjin nr.10 192, datë 3.12.2009;
b) 50% e vlerës kalon në buxhetin e shtetit.

Veprimet kryhen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Detyrimet e përmendura në paragrafin e parë të kësaj pike përcaktohen me hollësi në udhëzimin e ministrit të Financave.

KREU IV

DISPOZITA Të FUNDIT

1. Ngarkohet ministri i Financave të hartojë udhëzimin përkatës, në zbatim të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


23/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›