VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe të neneve 2 e 5, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 16 000 (gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 92 (nëntëdhjetë e dy) lekë.
4. Shtesat, me karakter të përhershëm, jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.245, datë 27.4.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2008.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA