VENDIM PËR STRUKTURËN, FUNKSIONIMIN DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË PRANIMIT E TË VLERËSIMIT TË DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM E TË DETYRIMEVE TË ORGANIZMAVE CERTIFIKUESE
V E N D I M
PËR
STRUKTURËN, FUNKSIONIMIN DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË PRANIMIT E TË VLERËSIMIT TË DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM E TË DETYRIMEVE TË ORGANIZMAVE CERTIFIKUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 18, të ligjit nr.9199, datë 26.2.2004, “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio””, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. REGJISTRIMI I ORGANIZMAVE CERTIFIKUESE
A. Fusha e zbatimit
Komisioni Shtetëror i Prodhimit Organik (KSHPO) regjistron organizmin certifikues (OÇ), privat a shtetëror, vendas ose të huaj, që e ushtron veprimtarinë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të kualifikuar në fushat e prodhimit, bimor e shtazor, të mbledhjes së produkteve spontane, përpunimit ose cilitdo kombinimi të këtyre veprimtarive, për të certifikuar një prodhim “BIO”, për tregun e brendshëm dhe për eksport.
B. Parandalimi i konfliktit të interesit :
Organizmi certifikues, për parandalimin e konfliktit të interesit,:
1. nuk duhet të nisë procedurën për certifikimin e një veprimtarie, prodhuese ose përpunuese, nëse ajo ose një pjesë e lidhur me të, përfshirë edhe kontraktuesit, kanë ose kanë patur interes tregtar, interes familjar (bashkëshorti apo bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallën e dytë) ose dhënie konsulence, në prodhimin apo përpunimin e produkteve bio, gjatë një periudhe, jo më pak se 12 muaj nga kërkesa për certifikim.
2 nuk lejon asnjë nëpunës, inspektor, kontraktues, ose personel tjetër të pranojë kompensim ekstra, të çfarëdo lloji, përveç tarifave të përcaktuara, për secilën njesi prodhimi organik të inspektuar.
3 nuk jep mendim dhe nuk u ofron shërbim konsulence, atyre që kërkojnë certifikim ose njësive të prodhimit organik, të certifikuara, kur verifikohen vështirësi dhe pengesa për vazhdimin e këtij procesi.
4 u kërkon të gjithë personave të përfshirë në procesin e certifikimit të plotësojnë një deklaratë vjetore, për të bërë të njohur konfliktet e mundshme të interesit.
5 garanton se vendimi për certifikimin e një njësie të prodhimit organik merret nga persona, të ndryshëm nga ata që kanë bërë vlerësimin e dokumenteve dhe inspektimin e kësaj njësie.
6 rivlerëson kërkesën për certifikim të një njësie prodhimi organik të certifikuar dhe, nëse është e nevojshme, kryen, brenda 12 muajve pas certifikimit, një inspektim të ri në këtë njësi, kur verifikohet se ai, që ka marrë pjesë në procesin e certifikimit, ka ose ka patur një konflikt interesi me kërkuesin. Të gjitha kostot, që lidhen me rivlerësimin e kërkesës, përfshirë ato të verifikimeve, inspektimeve në njësinë e prodhimit organik, mbulohen nga organizmi certifikues. Organizmi certifikues, në këto raste, duhet të informojë njësinë e prodhimit organik, të certifikuar.
7 pranon vendimet e certifikimit, të marra nga një organizëm tjetër certifikues, i regjistruar nga KSHPO-ja.
C. Detyrat e organizmit certifikues
Organizmi certifikues ka këto detyra:
1. Paraqet në KSHPO kopje të:
a) çdo ankimi të njësive të prodhimit organik për shërbimin e certifikimit;
b) çdo pezullimi ose refuzimi të certifikimit për njësitë e prodhimit organik;
c) çdo pezullimi ose heqjeje të akreditimit të marrë;
ç) listës, në datën 10 janar të çdo viti, me emrat, adresat dhe numrat e telefonit të njësive të prodhimit organik, të cilave u është lëshuar certifikimi gjatë vitit të kaluar.
2 I jep inspektorit, përpara çdo inspektimi në njësitë e prodhimit organik, informacionin ose kopje të dokumentacionit të inspektimeve të mëparshme, të kryera në këto njësi, dhe i bën të njohur atij vendimet për certifikimin e veprimtarisë së prodhimit ose përpunimit të këtyre njësive, të inspektuara nga inspektori, dhe çdo kërkesë për veprime korrigjuese për mangësitë e vëna re.
3 Pranon të gjitha kërkesat për certifikimin e prodhimit ose përpunimit, në fushën përkatëse dhe certifikon të gjithë kërkuesit deri në kufirin maksimal të kapaciteteve administrative.
4 Përcakton një logo ose shenjë tjetër identifikuese, për t’u përdorur nga njësitë e prodhimit organik, të certifikuara nga ky organizëm, për të treguar përkatësinë e organizmit certifikues, me kusht që vetë organizmi:
a) të mos kërkojë përdorimin e logos ose të një shenje tjetër të tij në çdo produkt të shitur, etiketuar dhe paraqitur si “BIO”, si kusht për certifikim;
b) të mos lejojë përdorimin e logos së vet treguese për përshtatshmërinë me praktika të tjera, prodhimi dhe përpunimi, përveç atyre të përcaktuara në ligjin nr. 9199, datë 26.2.2004, “Për prodhimin, përpunimin, çertifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”". Përshtatja me praktika të tjera prodhimi dhe përpunimi duhet të shprehet me standardet e tyre specifike.
5 Siguron se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit është jashtë çdo përgjegjësie për veprimtarinë e tij.
6 Siguron garanci, ekonomike dhe financiare, nëpërmjet veprimtarive, që kryen, për funksionimin e sistemit të certifikimit, dhe jep garanci për cilësinë, në interes të njësive të prodhimit organik, që marrin certifikimin.
7 Duhet të ketë të paktën një qendër të njohur në territorin e Republikës së Shqipërisë, të pajisur me mjetet e përshtatshme për veprimtarinë dhe personelin e përhershëm.
8 I transferon KSHPO-së të gjithë dokumentacionin ose kopjet e tyre për veprimtarinë e certifikimit, kur humbet regjistrimin. Një transferim i tillë nuk aplikohet në rastet e bashkimit, shitjes ose transferimit të pronësisë.
9. Kur certifikon prodhime “BIO” për eksportim në vende të tjera, duhet të paraqesë, me shkrim, në KSHPO, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Listën me emrat e njësive të prodhimit organik;
b) Vendndodhjen e tyre (fshati, komuna);
c) Llojet e prodhimeve, bujqësore e blegtorale, të certifikuara;
ç) Sasinë;
d) Vendet, ku do të eksportohen;
dh) Të dhëna për trupin e inspektimit, me të cilën ka bashkëpunuar.
10. Nuk diskriminon asnjë person, për shkak të racës, ngjyrës, origjinës kombëtare, gjinisë, besimit fetar, moshës, paaftësive fizike, ideve politike, gjendjes civile ose familjare.
11. I dërgon KSHPO-së ankesat për anën profesionale të secilit inspektor ose të trupës së inspektimit, ku bën pjesë.
12. Për qëllime të vlerësimit të certifikimit, i kërkon aplikuesit të paraqesë një kërkesë për certifikim, sipas modelit të përcaktuar me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, së bashku me planin e menaxhimit të prodhimeve, ku përcaktohen masat e marra në njësinë e prodhimit organik, për zbatimin e legjislacionit për prodhimin organik. Bashkëlidhur me kërkesën për certifikim, organizimi certifikues kërkon nënshkrimin e një kontrate certifikimi, ku përcaktohen detyrimet e njesisë së prodhimit organik dhe mënyrat për kërkesën dhe marrjen e certifikimit.
13. Bën deklarime të drejta për njësinë e prodhimit organik dhe lëshon, me përgjegjësi, certifikatën për cilësinë e etiketuar, si prodhime “BIO”.
Ç. Kërkesa dhe dokumentacioni për regjistrim
Ç.1. Një subjekt, privat ose shtetëror, vendas a i huaj, që kërkon regjistrimin si organizëm certifikues, në përputhje me këtë vendim, duhet të paraqesë në KSHPO:
1. Një kërkesë për regjistrim, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar, si më poshtë vijon:
a) Kur aplikuesi është subjekt shtetëror, paraqet:
i. aktin e krijimit;
ii. emrin;
iii. adresën postare;
iv. vendndodhjen e selisë qendrore dhe të degëve në territorin e Republikës së Shqipërisë;
v. emrin (at) e personit (ave), përgjegjës për veprimtarinë e përditshme të subjektit;
vi. numrat e kontaktit ( telefon, fax dhe adresën e-mail);
vii. autorizimin zyrtar nga titullari i institucionit, për kryerjen e veprimtarive të certifikimit;
viii.certifikatën e akreditimit, nga një trup akreditimi i pavarur, sipas standardit ISO/Guide 65.
b) Kur aplikuesi është një subjekt privat, përveç dokumenteve të përcaktuara në shkronjën “ç”/a, ii, iii, iv, v, vi, të këtij vendimi, duhet të paraqesë edhe:
i. vendimin për regjistrimin, si person juridik;
ii. NIPT-in ;
iii.certifikatën e regjistrimit në organin tatimor;
iv. aktin e themelimit;
v. statutin;
vi. certifikatën e akreditimit, nga një trup akreditimi i pavarur, sipas standardit ISO/Guide 65.
c) Kur aplikuesi është subjekt i huaj, për ushtrimin e veprimtarisë në territorin e Republikës së Shqipërisë, paraqet:
i. vendimin për regjistrimin, si person juridik në Republikën e Shqipërisë;
ii. NIPT-in , sipas legjislacionit shqiptar;
iii. certifikatën e regjistrimit në organin tatimor, në Republikën e Shqipërisë;
v. aktin e themelimit;
v. statutin;
vi. emrin;
vii. adresën postare;
viii.vendndodhjen e selisë qendrore dhe të degëve në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ix. emrin e personit të kontaktit të çdo njësie;
x. numrat e kontaktit (telefon, fax dhe adresë e-mail) për secilën prej njësive organizative edhe në territorin shqiptar;
xi. dokumente zyrtare nga vendi i tij, që vërtetojnë veprimtarinë e çertifikimit.
xii. certifikatën e akreditimit, nga një trup akreditimi i pavarur, sipas standardit ISO/Guide 65.
2. Planin vjetor të veprimtarisë, ku përcaktohet çdo fushë veprimi (prodhim bimor, mbledhje e produkteve spontane, mbarështim kafshësh dhe përpunim), për të cilat kërkohet regjistrimi dhe numri i vlerësuar i njësive të prodhimit organik të secilës fushë, që parashikohet të certifikohet çdo vit.
3. Tarifat e shërbimit.
4. Një listë e vendeve, ku aplikuesi certifikon prodhimin dhe përpunimin, si dhe një listë e çdo vendi, ku kërkuesi parashikon të certifikojë prodhimin dhe përpunimin.
5. Informacion për përvojën dhe aftësitë profesionale, duke paraqitur:
a) listën me të dhënat e personelit, e cila përmban:
i. procedurat për trajnimin, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e personelit;
ii. emrat dhe përshkrimin e të gjithë personelit, që do të përfshihet në veprimtarinë e certifikimit, përfshirë organin drejtues, stafin administrativ, inspektorët, personat, që vendosin për certifikimin (apo rishikimin e tij), komitetet e vlerësimit, kontraktuesit dhe të gjitha palët përgjegjëse, të lidhura me organizmin certifikues;
iii. një përshkrim të kualifikimit, përfshirë përvojën, praktikat dhe trajnimin në bujqësi, në prodhimin dhe përpunimin organik për çdo inspektor dhe për çdo person të përcaktuar për rivlerësimin ose vlerësimin e kërkesave për certifikim.
b) politikat dhe procedurat administrative, ku përcaktohen:
i. procedurat, që përdoren për vlerësimin e certifikimit të njësive të prodhimit organik dhe marrjen e vendimeve për certifikimin;
ii. procedurat e dhënies, mbajtjes, heqjes e të pezullimit të certifikatave të lëshuara;
iii. procedurat, për zgjerimin apo reduktimin e fushës së certifikimit;
iv. procedurat për rivlerësimin e njësisë së prodhimit organik, në bazë të ligjit të bujqësisë organike dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij;
v. procedurat për njoftimin e KSHPO-së, për shkeljet e vëna re gjatë procesit të rivlerësimit;
vi. një plan kontrolli, ku të jepen kriteret e programimit të veprimtarive (planit) inspektuese;
vii. procedurat për plotësimin e kërkesave të ruajtjes së dokumentacionit të përcaktuar;
viii.procedurat për ruajtjen e konfidencialitetit të çdo informacioni, që lidhet me çështjet tregtare. Për të dhënat, që duhet të bëhen publike, sipas rregullave, më përpara, duhet të njoftohen, paraprakisht, njësitë e prodhimit organik, të certifikuara, ndërsa informacionet e tjera mund të jenë të disponueshme për publikim, vetëm pasi këto njësi kanë rënë, paraprakisht, dakord me shkrim.
ix. procedurat për vënien në dispozicion të dokumentacioneve, që kërkohen nga personat e caktuar për vlerësimin e punës së tyre, ku përfshihen:
- lista e prodhuesve dhe e përpunuesve;
- të dhëna për njësitë e prodhimit organik, të certifikuara, përfshirë emrin, adresën, llojin e procesit, produktet, që prodhohen dhe ata të certifikuar, si dhe datën efektive të certifikimit për vitin në vazhdim;
x. procedurat për përcaktimin e komiteteve të ndryshme brenda organizmit certifikues (p.sh komiteti i certifikimit,) që lidhen me procesin e certifikimit dhe të veprimtarisë;
xi. procedurat për marrjen e mostrave dhe analizimin e mbetjeve;
xii. procedurat për përcaktimin dhe provën e cilësisë së shërbimit, duke garantuar kuptimin e politikës së cilësisë, vazhdimin dhe ruajtjen e të gjitha niveleve organizative.
c) Konfliktet e interesit, për të cilat duhet të paraqesë:
i. deklarimin për konfliktin e interesit, ku përshkruhen interesa të mundshme në veprimtari tregtare, të lidhura me sektorin agroushqimor, përfshirë edhe ata të familjarëve të afërt. Ky deklarim duhet të bëhet nga të gjithë personat, që rivlerësojnë kërkesat për certifikim, kryejnë inspektim në njesinë e prodhimit, rivlerësojnë dokumentet e certifikimit, vlerësojnë kualifikimin për certifikim, lëshojnë rekomandime për certifikimin, ose marrin vendime për certifikim;
ii.dokumentacionin, për nënkontraktimin e veprimeve për certifikimin (analiza, veprimtari inspektimi dhe të tjera), duke rregulluar edhe kualifikimin, kompetencën, konfidencialitetin dhe konfliktet e interesit. Në këto raste duhet të evidentohet mbajtja e përgjegjësisë së plotë të veprimtarive certifikuese, që menaxhon.
6. Formularin e deklarimit sipas aneksit 2 të këtij vendimi.
Ç.2. Një organizëm certifikues, që aktualisht e ushtron veprimtarinë e certifikimit, paraqet:
i. një lista të të gjithë njësive të prodhimit organik, aktualisht të certifikuara prej tij;
ii. kopje të të paktën 3 raporteve inspektuese të ndryshme dhe të dokumenteve të vlerësimit të certifikimit për prodhimin apo përpunimin, të certifikuara gjatë vitit të fundit, për çdo fushë certifikimi, për të cilën ai kërkon të regjistrohet;
iii. çdo lloj informacioni, që aplikuesi e vlerëson të vlefshëm, për vlerësimin, nga KSHPO-ja, të përvojës dhe aftësive të tij.
Dokumentat e mësipërme duhet të jenë origjinale ose kopje të noterizuara dhe dokumentet e paraqitura nga subjekti i huaj duhet të jenë në gjuhën shqipe.
D. Regjistrimi
KSHPO-ja, brenda 30 ditëve, mblidhet dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga subjekti, që kërkon regjistrimin si organizëm certifikes dhe, nëse është e nevojshme, bën verifikimn e tyre. Kur dokumentacioni është i plotë, KSHPO-ja merr vendim për regjistrimin e këtij organizimi.
KSHPO-ja e regjistron organizmin certifikues në regjistër, sipas modelit të paraqitur në aneksin 1/A, dhe e pajis me certifikatën e regjistrimit, ku përcaktohen:
1. fusha (at), për të cilën(at) ai regjistrohet;
2. periudha efektive e regjistrimit, prej 5 vjetësh;
DH. Refuzimi i regjistrimit
1. Nëse KSHPO-ja, në bazë të shqyrtimit të dokumenteve të paraqitura dhe pas verifikimit të tyre për regjistrim, ka arsye të besojë se nuk plotësohen kërkesat e këtij vendimi, njofton, me shkrim, aplikuesin për:
a) kriteret e paplotësuara;
b) afatet e plotësimit të kritereve;
c) afatin e ankimit.
2. Kur kriteret janë plotësuar, KSHPO-ja vazhdon procedurën e regjistrimit.
3. Nëse aplikuesi nuk korrigjon kriteret e paplotësuara, brenda afatit të vendosur në njoftim ose nuk pranohet ankimi i tij, KSHPO-ja njofton, me shkrim, për refuzimin e regjistrimit. Aplikuesi, që ka marrë një njoftim me shkrim për refuzimin e regjistrimit, mund të bëjë sërish, kërkesë për regjistrim, në çdo çast. Ndaj refuzimit të regjistrimit mund të bëhet ankim, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së njoftimit te kryetari i KSHPO-së.
E. Kontrolli i organizimit certifikues
KSHPO-ja kontrollon veprimtarinë e organizmit certifikues të regjistruar. Ky kontroll përfshin një auditim të procedurave të certifikimve, të vendimeve, strukturave, sistemeve, administrative dhe menaxheriale, dhe të njësive të prodhimit organik, të certifikuara nga organizmi.
Ë. Përmbledhja vjetore e ruajtja e dokumentacionit
1. Organizmi certifikues i regjistruar duhet të paraqesë, më 31 janar të çdo viti, pranë KSHPO-së, dokumentet, si më poshtë vijon:
a) Raportin vjetor;
b) Planin e vitit të ardhshëm;
c) Rezultatet e procesit të auditit të brendshëm;
ç) Një përshkrim të rregullave në procedurat e certifikimit, që duhet të përmbushen në përgjigje të vlerësimeve të paraqitjes dhe auditit vjetor të brendshëm të programit;
d) Një evidencë për gjendjen dhe veprimtarinë e njësive të prodhimit organik, sipërfaqet, kulturat bujqësore, numrin e krerëve, prodhimet e realizuara, trupën e inspektimit, me të cilën ka bashkëpunuar.
2. Organizmi certifikues duhet të ruajë dokumentacionin:
a) që shoqëron kërkesën e bërë për certifikim dhe dokumentet për njësitë e prodhimit organik, të certifikuara, për jo më pak se 5 vjet nga marrja e tyre.
b) për kërkesat për certifikim dhe njësitë e prodhimit organik, të certifikuara, për jo më pak se 10 vjet nga paraqitja e tyre.
c) e marrë ose të prodhuar nga ky organizëm për kërkesat për regjistrim, për jo më pak se 5 vjet, nga paraqitja e tyre.
F. Rinovimi i regjistrimit dhe lajmërimi për regjistrim
1. Kërkesa e organizmit certifikues, të regjistruar, për rinovimin e regjistrimit duhet të paraqitet në KSHPO, 6 muaj përpara regjistrimit. Organizmi certifikues, të cilit i ka kaluar afati i regjistrimit, nuk duhet të kryejë më veprimtari certifikuese.
KSHPO-ja vendos për rinovimin e regjistrimit të këtij organizmi, në mbështetje të dokumentacionit dhe informacioneve të paraqitura, si dhe të rezultateve e kontrolleve të ushtruara prej saj.
Kur vendimi për rinovimin e regjistrimit është pozitiv, KSHPO-ja regjistron organizmin certifikues në regjistër, sipas afatit të përcaktuar në shkronjën “D” të kreut I, të këtij vendimi, dhe jep certifikatën e rinovimit të regjistrimit, ku përcaktohen:
a) fushat, për të cilat është bërë rinovimi;
b) periudha efektive e rinovimit, prej 5 vjetësh;
G. Pezullimi dhe çregjistrimi
KSHPO-ja nis procedurën për pezullimin ose çregjistrimin e organizmit certifikues, kur vëren mosplotësim të kritereve të vendosura.
GJ. Ndryshime në fushat e regjistrimit
Kërkesa për ndryshime në fushat e regjistrimit i dërgohet KSHPO-së, së bashku me informacionet për ndryshimin e kërkuar për regjistrim. Organizimi certifikues, në çdo kohë, mund të kërkojë ndryshime në fushat e regjistrimit.
II. REGJISTRIMI DHE RINOVIMI I REGJISTRIMIT TË TRUPAVE TË INSPEKTIMIT
A. Paraqitja e kërkesës për regjistrim të trupave të inspektimit
1. Çdo person, fizik ose juridik, vendas a i huaj, që kërkon të kryejë veprimtari inspektimi, sipas ligjit nr.9199, datë 26.2.2004, “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio””, duhet të paraqesë në KSHPO kërkesën për regjistrim, së bashku me faturën e pagesës.
2. Inspektori, në përbërje të trupës së inspektimit, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë diplomë universitare në shkencat bujqësore, pyjore, shkencat dhe teknologjitë agroushqimore, prodhim shtazor,
kimi, biologji, dhe veterinari;
b) Të jetë person me përvojë dhe i njohur në fushën e bujqësisë
organike;
c) Të ketë një formin specifik dhe njohuritë e nevojshme:
i. për shkencën, teknologjitë dhe proceset bujqësore dhe agroushqimore;
ii. për kushtet higjieno-sanitare të produkteve dhe proceseve prodhuese agroushqimore;
iii. në përputhje me ligjin nr.9199, datë 26.2.2004, “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio””, dhe me aktet nënligjore, në zbatim të tij;
iv. për sistemin e vetëkontrollit HACCP ose standardin S SH ISO 22 000 apo standarde të tjera, të barazvlefshme me to.
v. për standardet e serisë S SH EN ISO 9000, standardi S SH EN ISO 19011 : 2002 dhe udhëzuesi ISO/IEC 65 ose standarde të tjera, të barazvlefshme me to.
ç) Të ketë marrë pjesë në seminare e kurse kualifikimi për bujqësinë organike.
d) Të ketë përvojë punë jo më pak se dy vjet;
i. pranë njësive të prodhimit organik;
ii. pranë organizmave certifikuese;
iii. për dhënie konsulence.
B. Shqyrtimi i kërkesës dhe i praktikave, të paraqitura në KSHPO
KSHPO-ja, brenda 30 ditëve, mblidhet dhe vendos për kërkesën e paraqitur.
Nëse vendimi është negativ, subjekti i interesuar njoftohet, duke i shpjeguar edhe motivin e mosmiratimit të kërkesës.
C. Miratimi dhe regjistrimi i inspektorit ose i trupave të inspektimit
Nëse vendimi është pozitiv regjistrimi i emrit të inspektorit ose i trupës së inspektimit në regjistër është i vlefshëm deri në dy vjet nga data e regjistrimit, veç rasteve të pezullimit ose çregjistrimit nga KSHPO-ja, për shkak të mosrespektimit të kërkesave të përcaktuara.
Inspektorët dhe trupat e inspektimit regjistrohen në regjistër, sipas modelit të paraqitur në aneksin 1/B, C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ç. Publikimi në buletin
KSHPO-ja publikon, në buletinin e saj, çdo gjashtë muaj, të dhënat për inspektorët dhe trupat e inspektimit, të regjistruara.
KSHPO-ja, brenda 15 ditëve nga data e regjistrimit, pajis me kartën e inspektorit të prodhimit organik, inspektorët e regjistruar dhe u komunikon organizmave të certifikimit listën e inspektorëve dhe trupave të inspektimit të regjistruar.
D. Paraqitja e kërkesës për rinovim
Kërkesa për rinovim duhet të paraqitet, tri muaj përpara mbarimit të afatit të regjistrimit. Ajo përmban informacione për kualifikimin, trajnimin dhe përvojën profesionale, në periudhën e mëparshme të inspektimit. Kërkesa për rinovimin e regjistrimit për inspektorët, së bashku me faturën e pagesës së regjistrimit, i drejtohet KSHPO-së. Trupa e inspektimit, në kërkesën e saj për rinovim, paraqet informacion, për secilin inspektor, që punon për të. Regjistrimi i inspektorëve dhe i trupave të inspektimit është i vlefshëm deri në datën e mbledhjes së KSHPO-së për rinovim, pezullim ose çregjistrim nga regjistri.
DH. Shqyrtimi i kërkesave dhe praktikave, të paraqitura në KSHPO
1. KSHPO-ja mblidhet dhe shqyrton kërkesën për rinovim, brenda 30 ditëve nga paraqitja e saj. Vendimi i KSHPO-së mund të jetë:
a) pozitiv dhe, në këtë rast, regjistrohet në regjistër dhe njoftohet subjekti, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së vendimit.
b) negativ dhe, në këtë rast, njoftohet subjekti i interesuar për çregjistrimin nga regjistri përkatës, të cilit i kërkohet rikthimi i kartës së inspektorit të prodhimit organik, brenda 7 ditëve nga data e njoftimit. Subjektit i bëhet i njohur edhe shkaku i mosrinovimit.
c) negativ, kur shkaqet, që pengojnë rinovimin, mund të eliminohen, nëpërmjet veprimeve korrigjuese. Në këtë rast, lajmërohet subjekti i interesuar për ndërprerjen e përkohshme të regjistrimit në regjistrin përkatës, duke i kërkuar kryerjen e veprimeve korrigjuese, brenda datës së përcaktuar nga KSHPO-ja.
2. Mosrinovimi i regjistrimit të një inspektori nuk pengon regjistrimin e trupës së inspektimit, me përjashtim të rastit kur në përbërje të trupës vërehen mangësi të aftësive të tjera profesionale apo raste korruptive.
3. Shkaqet për mosrinovimin dhe çregjistrimin nga regjistri të inspektorit dhe trupave të inspektimit janë, si më poshtë vijon:
a) mosplotësimi i kërkesave e i detyrimeve të përcaktuara në shkronjën “E”, të kreut II, të këtij vendimi, ( paraqitja e kërkesës për rinovim);
b) humbja e pavarësisë në veprimtarinë e inspektimit;
c) mospjesëmarrja ose pjesëmarrja e pjesshme në programet vjetore të trajnimit, të vendosura nga KSHPO-ja;
ç) mospagimi ose pagesa e pjesshme e tarifës së regjistrimit;
d) mungesa e veprimtarisë së inspektimit për një periudhë, jo më shumë se 24 muaj.
E. Kryerja e veprimeve korrigjuese dhe dërgimi i evidencave
Inspektori ose trupa e inspektimit, të cilëve u komunikohet kërkesa për kryerjen e veprimeve korrigjuese, duhet t’i kryejnë menjëherë këto veprime, brenda kohës së përcaktuar nga KSHPO-ja dhe ta njoftojnë atë për plotësimin e tyre. KSHPO-ja, në mbledhjen e parë të radhës, shqyrton kërkesën dhe vendos, në përputhje me shkronjën “Dh”, të kreut II, të këtij vendimi, (Shqyrtimi i kërkesave dhe praktikave, të paraqitura në KSHPO )
Ë. Rinovimi i regjistrimit të inspektorit dhe të trupave të inspektimit
KSHPO-ja, pas miratimit për rinovim, brenda 15 ditëve bën regjistrimin. Regjistrimi për rinovim i inspektorit ose i trupës së inspektimit në regjistrin përkatës është i vlefshëm deri në dy vjet, nga data e regjistrimit për rinovim, përveç rasteve të pezullimit ose çregjistrimit nga KSHPO-ja, për shkak të mosplotësimit të kërkesave të përcaktuara prej saj.
F. Publikimi në buletin
KSHPO-ja publikon në buletinin e saj, çdo gjashtë muaj, të dhënat për inspektorët dhe trupat e inspektimit, të regjistruara, për të cilët është miratuar kërkesa për rinovim.
KSHPO-ja, brenda 15 ditëve, pajis me kartën e inspektorit të prodhimit organik, inspektorët e regjistruar, për të cilët është miratuar kërkesa për rinovim dhe u komunikon organizmave certifikuese listën e inspektorëve dhe të trupave të inspektimit, të regjistruar për rinovim.
III. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA