E Enjte, 5 Nëntor 2026

VENEZUELË – Maduro fiton mandatin e tretë si president

RIO DE ZHANEIRO, 29 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka fituar në zgjedhjet presidenciale dhe një mandat të tretë në detyrë, njoftoi sot Këshilli Zgjedhor (CNE).

“Maduro fitoi rreth 51% të votave, duke mposhtur kandidatin e opozitës Edmundo González, i cili siguroi rreth 44%”, tha CNE.

Në zgjedhjet presidenciale konkurruan dhjetë kandidatë, ndërsa disa sondazhe të opinionit para zgjedhjeve e renditën Gonzalez përpara Maduros, i cili ka qenë në krye të vendit të Amerikës së Jugut për 11 vite të trazuara.

Një total prej rreth 21,6 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin, përfshirë ata jashtë vendit. Zgjedhjet në Venezuelë fitohen me shumicë të thjeshtë në raundin e parë.

Maduro, i cili fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 2018 – të kritikuara gjerësisht si jodemokratike – ka udhëhequr një krizë ekonomike – duke përfshirë hiperinflacionin, mungesat akute të mallrave dhe një rënie të prodhimit të naftës – që nxiti rreth 7,7 milionë venezuelas të ikin jashtë vendit, sipas Kombeve të Bashkuara.

Maduro u zgjodh për herë të parë president në prill 2013 – pas vdekjes së paraardhësit të tij Hugo Chavez – nën drejtimin e të cilit shërbeu si zëvendëspresident.

Pavarësisht trazirave ekonomike dhe përpjekjeve të mbështetura nga SHBA-ja për ta rrëzuar atë, Maduro ka qenë në gjendje të mbajë pushtetin. //a.i/.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›