VETËVENDOSJE!: KQZ-së po i cenohet pavarësia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke kaluar nëpër një proces i cili po cenon pavarësinë dhe integritetin institucional të tij. Kështu ka vlerësuar Lëvizja VETËVENDOSJE!, sot në një konferencë që e mbajti për media në lidhje me zhvillimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në konferencën u paraqitën problemet që po has ky institucion si pasojë e negociatave Thaçi-Daçiç dhe Marrëveshjes së 19 Prillit, pjesëmarrja jashtë sferës së kompetencave dhe në mospajtim me Kushtetutën e kryesueses së KQZ, nxitja e zyrtarëve të Sekretariatit për të vepruar në kundërshtim me parimet dhe normat ligjore të institucionit kushtetues e të pavarur siç është Komisioni Qendror, përpjekja për ta vendosur OSBE-në në rol ekzekutiv për organizimin e zgjedhjeve në komunat më shumicë serbe, si dhe tentativat për të hequr logon e Republikës së Kosovës nga fletëvotimet.
Po ashtu në këtë konferencë ish-zyrtari i Sekretariatit të KQZ, i cili ditë më parë kishte dhënë dorëheqje duke bërë publike çështjen e logos dhe ndërhyrjen nga Brukseli të kryesues së KQZ, iu bashkëngjit VETËVENDOSJE!-s. U tha se ardhmen do të jetë përfaqësuesi i këtij subjektit politik në këtë institucion.
Përfaqësuesi i deritashëm VETËVENDOSJE!-s në KQZ, Alban Krasniqi, vlerësoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke kaluar nëpër një proces i cili po cenon pavarësinë dhe integritetin institucional të tij
“Edhe pas shpalljes së pavarësisë ky institucion vazhdon të jetë i varur nga proceset dhe marrëveshjet politike dhe partiake. Këtë varësi po e shtyn para dhe mban një pjesë e anëtarëve të KQZ së bashku me kryesuesen të cilët në axhendën e procesit zgjedhor kanë mbivendosur agjendën politike të qeverisë. Ne kemi pasur edhe më parë dallime konceptuale për udhëheqjen dhe përgjegjësinë institucionale, mbi detyrat, përgjegjësitë dhe funksionet e KQZ-së të parapara me ligj dhe kushtetutë. Këto dallime dhe ndarje u thelluan edhe më shumë pas futjes së kryesueses së KQZ në ekipin e negociatave politike të Edita Tahirit me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë”, ka thenw Krasniqi.
Sipas tij, implikimi i KQZ-së në negociatat politike dhe hapja e temave dhe aktiviteteve që janë pjesë ekskluzive e KQZ-së ishte ndër hapat e parë që shtrinë kontrollin qeveritar në KQZ, e që i dhanë shtytje kryesueses dhe disa anëtarëve të krijojnë një strukturë paralele dhe të marrin vendime arbitrare dhe të jashtëligjshme, që i hapën rrugë rolit ekzekutiv të OSBE-së në organizmin e zgjedhjeve.
Krasniqi tha se këto veprime i paraprinë vendimeve të mëpastajme të cilat pa bazë kushtetuese dhe ligjore por me përkrahje qeveritare po e dërgojnë KQZ-në në një terren të minuar që mund të rrezikoj si procesin zgjedhor ashtu edhe ekzistencën e shtetit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i ardhshëm, i VETËVENDOSJE!-s në KQZ, Adnan Rrustemi, mendon se zhvillimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfshirja e Kryesues së KQZ-së në negociatat me Serbinë, përpjekjet që OSBE-ja të ketë rol ekzekutiv dhe operacional në organizimin e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, kanë rrënuar të gjitha kushtet dhe mundësitë, si dhe kanë përmbysur shpresat që brenda këtij institucioni tani për tani, të punohet dhe operohet me profesionalizëm dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës.
“Tashmë është e qartë, se organizimi i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit nuk e ka si prioritet e si qëllim parësor organizimin e zgjedhjeve të lira dhe me integritet, sanimin apo eliminimin e defekteve të identifikuara nga zgjedhjet e kaluara, por kamuflimin maksimal të implementimit të marrëveshjes me Serbinë dhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për më tepër, kjo synohet të arrihet përmes shkeljes së ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës dhe detyrimit të zyrtarëve që të zbatojnë këto vendime dhe kërkesa përtej dhe në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën”, tha Rrustemi. /Indeksonline/