E Martë, 3 Nëntor 2026

VIDEO- Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Tiranë 35- vjeçari me qëllim ekstradimi drejt Italisë

Policia e Tiranës ka përfunduar nëpërmjet Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor të koduar “Milano 2”.

Në kuadër të këtij operacioni është prangosur një person i moshës 35- vjeç, i cili akuzohet nga autoritetet italiane, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.  

Arrestimi i tij në Tiranë është bërë me qëllim ekstradimin e tij në Itali.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Milano 2″. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në Sauk, dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin S. S., 35 vjeç.”, njofton policia.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.  Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›