E Hënë, 2 Nëntor 2026

VIDEO- Votimi për kryebashkiak në Mat, materialet zgjedhore mbërrijnë në 47 qendra

Vetëm pak orë para nisjes së procesit të votimit, Komisioni i Zonës Administrative Zgjedhore (KZAZ) 16 në Mat përfundoi shpërndarjen e materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit.

Komisionerët e 47 qendrave u paraqitën në pallatin e sportit “Ferit Hysa” në Burrel, ku është vendosur selia e KZAZ-së, për tërheqjen e dokumentacionit dhe mjeteve të nevojshme për votimet e së dielës. Procesi i shpërndarjes u krye pa probleme, duke mos u konstatuar mungesa në dokumentacion apo çështje të lidhura me komisionerët.

Rreth 26,700 qytetarë me të drejtë vote në Bashkinë Mat do të kenë mundësinë të zgjedhin drejtuesin e ri të bashkisë. Qendrat e votimit do të hapen nesër në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 18:00 të pasdites.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›