VIDEO/ Ministeriali i Energjisë, Karakaçi nga Mali i Zi: Shqipëria mbetet kampione në energjinë e rinovueshme

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria po forcon pozicionin e saj si lider rajonal në energjinë e rinovueshme, gjatë pjesëmarrjes në Ministerialin e Energjisë të zhvilluar në Mal të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Sipas tij, takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe investitorëve privatë, ndërsa u theksuan politikat mbështetëse të qeverisë shqiptare për zhvillimin e sektorit energjetik.
Karakaçi nënvizoi se vendi mbetet “kampion” në energjinë e rinovueshme, falë skemave të ankandeve dhe investimeve në rritje, përfshirë projektet fotovoltaike të realizuara edhe pa mbështetje shtetërore.
Ai shtoi se taksa e re e karbonit e Bashkimit Europian përbën një sfidë për rajonin, por njëkohësisht një mundësi për Shqipërinë që të rrisë avantazhin konkurrues dhe investimet në burime të pastra energjie.
“Ishim sot në Mal të Zi, në Ministerialin e Energjisë, përsa i përket procesit të Berlinit dhe përsa i përket të gjitha masave që shtetet e rajonit të Ballkanit janë duke marrë për përafrimin në Bashkimin Europian. Ky ishte një Forum mjaft i mirë, kishte një bashkëbisedim ndërmjet institucioneve financiare ndërkombëtare, ministreve të Energjisë, por edhe të gjithë aktorëve privat që duan të investojnë në rajon.
Edhe një herë u theksua mjaft qartë të gjitha politikat mbështetëse që Qeveria Shqiptare ka realizuar për energjinë e rinovueshme. Shqipëria vazhdon të jetë kampion në energjinë e rinovueshme nëpërmjet të gjitha skemave mbështetëse të ankandeve, por jo vetëm edhe investimeve që tashmë kanë marrë jetë si në rastin e energjisë fotovoltaike, të cilat janë realizuar pa mbështetje qeveritare dhe vetëm me iniciativë proivate.
Problematikë që ngritën të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor është taksa e re e karbonit e implementuar nga Bashkimi Europian që nënkupton që çdo prodhim energjie elektrike jo e rinovueshme në vendet e rajonit do të taksohet shtesë nga Bashkimi Europian. Edhe këtu, ky është një oportunitet shumë i mirë që Shqipëria duke qenë kampion i energjisë së rinovueshme në rajon, të shfrytëzojë këtë potencial dhe të rrisë investimet në energjinë e rinovueshme.
Kjo politikë e Bashkimit Europian gjen Shqipërinë shumë të përgatitur dhe madje në një proces më konkurrues me të gjitha vendet e tjera”, tha Karakaçi.