VIDEO/ Nga Kosova në Durrës për të vjedhur targa makinash, policia prangos 57- vjeçarin, dyshohet se ua shiste grupeve kriminale

Policia e Durrësit ka prangosur një 57- vjeçar nga Kosova mbi të cilin rëndon akuza e vjedhjes së 6 targave të automjeteve në pronësi të shtetasve të huaj, që kishin ardhur si turistë në Shqipëri.
Sipas policisë, 57-vjeçari vinte nga Kosova në Durrës, duke ushtruar veprimtarinë kriminale të vjedhjes së targave të automjeteve të turistëve, dyshohet për t’ua shitur shtetasve me precedent kriminal, për të kryer krime ndaj jetës dhe pronës.
57-vjeçari nga Kosova kishte vjedhur targat e 6 automjeteve në pronësi të 6 shtetasve nga Serbia, Moldavia, Mali i Zi e Ukraina. Targat vjedhura janë sekuestruar në cilësinë e provës material.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas kallëzimit të disa shtetasve të huaj të cilët kishin ardhur si turistë në Durrës dhe u kishin vjedhur target e automjeteve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin polior të koduar “Targat”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të vjedhjeve të targave, shtetasit S. F., 57 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë.
Ky shtetas, gjatë ditëve të fundit, në qytetin e Durrësit, në zonën e plazhit, ka vjedhur targat e 6 automjeteve, në pronësi të 6 shtetasve nga Serbia, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas i vidhte targat për tua shitur shtetasve me precedent kriminal, për t’i përdorur për veprimtari krimianle në fushën e krimeve ndaj jetës dhe pronës.“- thuhet në njoftimin e policisë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
/rtsh.al/