Shkeli perimetrin e sigurisë ujore, gjobitet drejtuesi, bllokohet gomonia

Një person i cili kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore, duke lundruar me mjet lundrues deri në breg të detit në plazhin e Ksamili, është ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare.
Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me masë administrative 200 000 lekë të rinj, ndërsa mjeti i tij është bllokuar.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.
Gjithashtu, policia fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.
Ditët e fundit Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po patrullojnë intensivisht në vijën bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese.
/ rtsh.al /