E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO-Pasojat e akteve të dhunshme gjatë protestës në Tiranë

TIRANË, 15 tetor/ATSH-Maela Marini / Tirana është zgjuar sot pas një nate të tensionuar ku protestuesit ndërmorën akte dhune, zjarrvënie dhe dëmtime të shumta në institucione publike, banka dhe biznese private.

Protesta e studentëve që nisi paraditen e djeshme u përshkallëzua gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, ku protestuesit u përplasën me forcat e Policisë së Shtetit, ndërsa goditën dhe dogjën godina qeveritare, biznese private dhe institucione.

Protestuesit hodhën gurë dhe molotovë ndaj godinës së kryeministrisë, selisë së Kuvendit, si dhe godinave të Ministrisë së Arsimit dhe Ekonomisë dhe Inovacionit.

Edhe pse qyteti është munduar t’i rikthehet ritmit normal këtë mëngjes dhe punonjësit e bashkisë kanë pastruar gjatë gjithë natës, pasojat e akteve të dhunës janë ende të dukshme.

Aktet e dhunës lanë pas copa pllakash, gurësh, shufrash hekuri, xhama të thërrmuar, mjete pune të shkatërruara, mobilie të hedhura e kompjuterë në tokë të cilave më pas iu vu flaka.

Disa prej institucioneve bankare, madje edhe Posta Shqiptare, që u goditën dhe u dogjën ditën e djeshme janë duke bërë bilancin e dëmeve, ndërsa shumë shërbime janë pezulluar.

Po ashtu shumë bizneset private, ndër të cilat qendra tregtare por edhe subjekte ambulatore janë duke përllogaritur po ashtu shkallën e dëmit nga pasojat e natës së mbrëmshme.

Qytetarët janë përballur këtë mëngjes me kaosin në trafik për shkak të shkuljes së semaforëve në akset kryesore me ngarkesë qarkullimi dhe dëmtimit të sinjalistikës rrugore. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›