VIDEO/ Përmbyten sërish rrugët e Durrësit

Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar situatë problematike në disa rrugë të qytetit të Durrësit.
Situata më e rënduar është shfaqur këtë të premte, në rrugët pranë Stadiumit “Niko Dovana”, si dhe në disa segmente të tjera, përfshirë shëtitoren “Taulantia”.
Niveli i ujit ka kaluar mbi trotuare, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.Pas ndërprerjes së reshjeve, uji është tërhequr gradualisht, por sipas autoriteteve, reshjet me intensitet të parashikuar në orët në vijim mund të krijojnë sërish problematika të ngjashme, duke i kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme.
Më herët mëngjesin e sotëm, Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar se qytetarët mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.
“Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.
Duke qenë se këto kushte atmosferike mund të sjellin problematika të ndryshme, u bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit me automjete dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësira të jashtme.”, thuhej në njoftimin e Bashkisë së Durrësit.
Edhe gjatë muajit janar, Durrësi ishte një ndër qytetet më të prekur nga përmbytjet. Ndërsa një ditë më parë, Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet duke sekuestruar dokumentacionin e projektit për ndërhyrjen në argjinaturën e lumit Erzen.