VIDEO/ Publikohen pamjet e shpëtimit të të 4 miturve në xhunglën Guaviare

Janë publikuar pamjet e takimit të Gardës kolumbiane me Lesly Mucutuy, 13 vjeç; Soleiny Mucutuy, 9 vjeç; Tien Noriel Ronoque Mucutuy, 4 vjeç; dhe Cristin Neriman Ranoque Mucutuy; i cili mbushi 1 vjeç mes të xhunglës kolumbiane të Guaviare.
Garda indigjene e Kolumbisë, e cila arriti të gjente vendndodhjen e të miturve, ndau momentin e gjetjes së fëmijëve nëpërmjet një video, e cila më pas u shpërnda edhe nga qeveria e Kolumbisë.
Videoja tregon momentin e shpëtimit të 4 fëmijëve, që rezultonin të humbur pas rrëzimit të avionit me të cilin ata udhëtonin. Rënia e avionit shkaktoi vdekjen e tre personave të rritur, përfshirë pilotin dhe nënën e fëmijëve.
Miguel Romario u shpreh se: “Ishte një punë e mrekullueshme. Ne theksojmë shumë vlerën e majorit Eliécer Muñoz. Për shkak të tij ne mundëm të kishim një strategji kërkimi”.
Një nga fytyrat më të dukshme të këtij shpëtimi është ajo e brigadierit Pedro Sánchez, por ai ia dha të gjithë meritat Gardës Indigjene: “Ndoshta unë jam fytyra më e dukshme, por ata (Garda Indigjene) janë ata që e bënë të mundur këtë” ,- deklaroi ai lidhur me shpëtimin në xhunglën Guaviare.
Fëmijët, përfshirë më të voglin që mbushi 1 vjeç ndërsa ndodhej në xhungël, kishin humbur që në datën 1 maj, kur avioni Cessna 206 me të cilin ata udhëtonin, u përplas në xhunglën e Amazonës.
Në operacionin e shpëtimit të koduar “Shpresa” u angazhuan 11 avionë, më shumë se 150 ushtarë nga Forcat Speciale Ushtarake, 73 anëtarë të fiseve autoktone. Motra e madhe e fëmijve, 13 vjeçarja Lesly arriti t’i mbajë gjallë vëllezërit dhe motrën e saj.
/rtsh.al/