VIP-at e këngës rikthim në fëmijëri
Fëmijëria, një botë ku fizikisht e ke të pamundur kthimin, mund të përjetohet si një kujtim, nostalgji. Gabimi i Mirelës që shkarraviti emrin e saj në autobusin e Unazës, vështirë se mund të harrohet më që nga kohët kur e vogla Irma Libohova e këndoi dhe e futi në historinë e festivaleve për fëmijë. U këndua shumë në ato kohë, në çdo festë e koncert fëmijësh. Vazhdon të këndohet edhe në këto kohë... E jo më vetëm nga Irma Libohova.
E thënë në gjuhën e kohëve moderne “Gabimi i Mirelës” është kthyer në një këngë hit, që të vegjël e të mëdhenj kanë shumë qejf ta këndojnë. Ndaj jo më kot në natën e parë të fillimit të spektaklit më të ri “Perform- Fest”, realizuar enkas për fëmijët e muzikën e tyre, nga producentja Zana Çela në ekranin e RTSH-së, Irma Libohova zgjodhi pikërisht “Gabimin e Mirelës” për ta kënduar edhe një herë, bashkë me fëmijët pjesëmarrës të këtij spektakli. Që në fakt më shumë se thjesht spektakël, është një garë e vërtetë mes fëmijëve. E jo më me këngë të rriturisht, siç është bërë zakon në këto kohët moderne, por me këngë të moshës së tyre, të vjetra e të reja, të kompozuara enkas për ta nga kompozitorët më me emër në tregun shqiptar, si Alfred Kaçinari, Pirro Çako, Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi, Sokol Marsi etj. Formati është krejt i qartë. VIP-at e muzikës shqiptare bëhen bashkë, në një skenë me fëmijët që kanë ëndrra të bëhen po aq të famshëm kur të rriten. “Perform Fest” u krijua pikërisht për të hapur udhën e realizimit të këtyre ëndrrave. Të parët që iu bashkuan këtij misioni ishin Irma Libohova e Katriot Tusha. Pastaj Mariza Ikonomi e Semi Jaupaj. Ndërsa në natën e tretë të kësaj të shtune në skenë bashkë me fëmijët u bashkua të këndojë dhe Frederik Ndoci. Misioni i tyre nuk është thjesht të këndojnë, por dhe të vlerësojnë mbi talentin e performancën e 32 këngëtarëve të vegjël, që kanë hyrë në këtë garë muzikore, të cilën producentja Zana Cela e quan një sfidë të vërtetë, për të gjithë. “E quajmë sfidë, pasi duam të rrisim dimensionet e muzikës për fëmijë, duke ruajtur gjithçka të mirë që repertori i këngës për fëmijë ka pasur ndër vite dhe duke e pasuruar me krijimtarinë e re që pasqyron zhvillimin e fëmijëve tanë të viteve të mijëvjeçarit të ri, të cilët janë mrekullisht të informuar për çdo gjë të re në fushën e teknologjive moderne në fushën e televizionit, artit muzikor e shumë fushave të tjera të kulturës.”
E shkuara dhe e tashmja
E shkuara dhe e tashmja shkojnë paralel në këtë spektakël. VIP-at e këngës rrëfejnë fëmijërinë dhe triumfet e tyre të atyre viteve. Risjellin emocionet dhe tingujt e këngëve që kanë hyrë dhe mbetur në repertorin e muzikës për fëmijë. Pjesa më e bukur e “Perform Fest” është minutazhi i arkivit të nxjerrë nga memoria e TVSH-së, ku deri më tani kanë dalë jo vetëm “Gabimi i Mirelës”, “Kënga e mësuesit” e Irma Libohovës, apo “Kënga e akullores”, “Beni, Mira e reçeli” apo “Rruga e fshatit tim” të Frederik Ndocit, por edhe këngë më të hershme se kaq, si për shembull “Fatosa e pionierë” të kënduar në vitet ’60 nga Justina Aliaj, apo “Tik tak ora” e kënduar në vitet ’80 nga grupi “Tring zilja”. Në çdo mbrëmje të “Perform Fest” këto këngë të së shkuarës janë propozimet e profesor Robert Radojës për fëmijët e këtij spektakli. Kështu të vegjlit këndojnë këngët e atyre kohëve. Siç bënë edhe në spektaklin e kësaj të shtune kur kënduan këngët e filmit “Një vonesë e vogël” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. Do të ketë dhe plot të tjera. Kanë përfunduar vetëm tre prej 11 javëve të këtij spektakli që premton të sjellë të tjerë VIP-a krah fëmijëve, si Inva Mulën apo Ardit Gjebrean e të tjerë e të tjerë. Surprizat sapo kanë filluar. Gara gjithashtu. Me kalimin e javëve, sfida do të bëhet edhe më e fortë. Do të fitojnë më të mirët, ata që do të fitojnë më shumë zemrën e VIP-ave, por dhe do të mund të marrin më shumë vota nga teleshikuesit.
Aida TUCI