Olldashi: Autostrada Levan-Vlorë, gati në fillim të verës
Një pjesë e autostradës Levan – Vlorë do të jetë gati për udhëtarët në fund të prillit, ndërsa e gjithë autostrada pritet të përfundojë në fillim të sezonit të ri turistik.
Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj, që do të preferojnë bregdetin e jugut, për sezonin e ardhshëm, nuk do të kenë probleme me infrastrukturën rrugore. Autostrada Levan -Vlorë do të jetë gati totalisht për qytetarët, në fillim të sezonit turistik. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi e ka deklaruar këtë lajm gjatë inspektimeve të punimeve të kësaj autostrade. Ai bëri me dije gjithashtu se në fund të muajit prillit hapen për trafikun 16 km të kësaj autostrade, që parashikon segmentin, nga Novolesa, deri në hyrje të qytetit të Vlorës. ‘Punimet janë në fazën e shtrimit të tapetit, paketës së fundit të asfaltit. Gjë që do të thotë që brenda fundit të muajit prill, apo në ditët e para të muajt maj, ne do të jemi në gjendje që 16 km e para të kësaj autostrade, t’i hapim për trafikun, me synimin që përpara sezonit turistik të bëjmë të mundur hapjen e të gjithë autostradës Levan–Vlorë” - tha ministri Olldashi. Sipas tij, hapja tërësisht e kësaj autostrade, përpara sezonit turistik, do të thotë një sezon turistik shumë i mirë për Vlorën, dhe një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata që do të duan t’i drejtohen Vlorës për pushime, për të arritur aty në kushte shumë komode, me një autostradë me të gjithë parametrat europianë, dhe në një kohë shumë më të shkurtër. Për Olldashin, intensiteti i punimeve në të gjithë segmentet e autostradës pritet që të finalizojë synimin e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për të bërë të mundur hapjen e gjithë autostradës përpara fillimit të sezonit turistik. Kjo autostradë, pjesë e Korridorit 8, është një ndër projektet madhore të qeverisë përsa i përket infrastrukturës në vend. Autostrada Levan – Vlorë ka një gjatësi 24 km, gjerësi 35m, 4 korsi dhe shpejtësi lëvizëse të mjeteve 120-130km/orë, që synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt jugut. Qeveria shqiptare, për këtë qëllim ka marrë një kredi 45 milionë euro, me terma tregtarë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Europiane e investimeve (BEI) për ndërtimin e kësaj autostrade. Kredia do të huazohet përkatësisht nga BERZH, me një hua prej 22 milionë euro, dhe BEI me një hua prej 23 milionë euro. Kosto totale e parashikuar për këtë projekt arrin në 60,1 milionë euro, përfshirë edhe kontributin e qeverisë shqiptare që përballon taksat, shpronësimet dhe TVSH-në.