VV: Gjykata Kushtetuese me gabime të qëllimshme

Lëvizja Vetëvendosje! ka reaguar kundër një vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili vjen si rrjedhojë e kërkesës së deputetit Shaip Muja. Sipas vendimit të Gjykatës,pezullohen nenet që kanë të bëjnë më punësimin e punonjësve shëndetësor dhe rregullimin e sistemit shëndetësor.
Sipas kësaj lëvizjeje, Muja kërkesën e ka bërë sipas projektligjit dhe jo sipas ligjit për Shëndetësinë i cili ka ndërruar kur është miratuar.
“Më flagrantja është se, Gjykata Kushtetuese, më 24 dhjetor dhe më 24 janar nxori vendimin mbi pezullimin e neneve 18, 19, 41, 60 të Ligjit për Shëndetësinë, duke u bazuar në një dokument që nuk ka të bëjë me Ligjin as nga përmbajtja as nga vlefshmëria. Pra, për çudi Gjykata, pati besim të verbër në kërkesën e në fakt të paligjshme të z. Muja, besim të cilin nuk ja lejon ligji”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizjeje.
Nenet për të cilat bëhet fjalë
PROJEKTLIGJI (në të cilin është bazuar Deputit Muja dhe Gjykata Kushtetuese)
SHËRBIMI KOMBËTAR I SHËNDETËSISË
Neni 60 1. Të gjitha institucionet publike shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor organizohen dhe funksionojnë si Shërbim Shëndetësor i Kosovës (në tekstin e mëtejmë, SHSHK), në pajtim me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.
2. Vendimin për themelimin e SHSHK e merr Qeveria, në pajtim me ligjin.
3. SHSHK është ndërmarrje autonome jo-profitabile publike e nivelit qendror në sektorin e shëndetësisë.
4. SHSHK drejtohet nga Bordi Drejtues i emëruar nga Ministri I Shëndetësisë, në pajtim me këtë ligj.
5. Institucionet publike shëndetësore nga neni 20 i këtij ligji kanë të drejtë të organizohen dhe të mbikëqyren nga organet përkatëse të Kuvendeve komunale.
6. Institucionet publike shëndetësore nga paragrafi 5 i këtij neni mund të jenë pjesë e SHSHK pas kërkesës së
Ligji i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës - FINANCIMI I INSTITUCIONEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR
NENI 60
1. Institucionet shëndetësore dhe personat e tjerë juridik dhe fizik, të cilët ushtrojnë veprimtari shëndetësore, janë të obliguara, që për çdo pacientë të dokumentojnë shpenzimet si edhe llojin, vëllimin, cilësinë dhe çmimin e shërbimeve.
2. Institucionet shëndetësore dhe organizatat që marrin fonde publike për zbatimin e kujdesit shëndetësor, janë të detyruara të mbajnë llogaritë dhe evidencat në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe të sigurojnë informata të nevojshme për organet e autorizuara.
Për VV-në, qëndrimi i GJK-së nuk është vetëm shkelje procedurale dhe shkon drejt një gabimi të qëllimshëm. “Qëndrimi i Gjykatës nuk është vetëm një gabim procedural, është më së paku joseriozitet e më së shumti shpërfillje e qëllimtë e interesit të publikut. Me këtë gabim në dukje procedural, Gjykata Kushtetuese, ka vërtetuar se në raste të caktuara mesa duket nuk vepron patjetër sipas ligjit dhe përcaktimeve që rrjedhin prej tij”, vlerëson kjo lëvizje.
Po ashtu VV i bën bën thirrje opinionit publik, “që të jetë i vëmendshëm duke qenë se mbi Gjykatën Kushtetuese në këtë rast nuk mund të veprojë ndonjë institucion tjetër në mënyrë legjitime përpos presionit të publikut”. /Indeksonline/