E Diel, 1 Nëntor 2026

Jacobson: Asociacioni nuk do të ketë pushtet ekzekutiv

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur sërish mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zonja ambasadore i ka dhënë këto komente në një bisedë të shkurtër me Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me negociatat që po zhvillohen, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit Jacobson ka thënë:

“Jam shumë e lumtur që të kem rastin, që sërish të shpreh mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për dialogun e sponsoruar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Duke iu falënderuar lidershipit të kryeministrit Thaçi, punës së madhe të të dyja palëve, dhe përpjekjeve të mëdha nga BE-ja dhe Baronesha Ashton personalisht, ky dialog ka të gjitha gjasat që të ketë sukses.

Normalizimi i raporteve me Serbinë, do të nënkuptojë përmirësimin e kushteve të jetës së të gjithëve qytetarëve, përfshirë ata në veri, dhe do të shtojë mundësitë për një zhvillim të vazhdueshëm ekonomik”.

Sa i përket gjasave që asociacioni të ketë pushtet ekzekutiv Jacobson ka thënë se ai nuk do të ketë pushtet ekzekutiv ose zgjedhje të drejtëpërdrejta.

“Nuk dua të hyj në detaje. Ne kemi dëgjuar mjaft qartë atë që ka thënë Qeveria e Kosovës dhe kryeministri.Nuk do të ketë pushtet ekzekutiv ose zgjedhje të drejtpërdrejta. Ne e kuptojmë dhe respektojmë këtë. Por, kjo është vërtet diçka që po negociohet në Bruksel, nën drejtimin e BE-së, me pjesëmarrjen e dy kryeministrave”,ka shtuar ambasadorja amerikane./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›