Deklarata e Daçiqit qon peshë ultranacionalistët serbë

(E plotësuar)Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e Vojislav Kostunicës, ka thënë sot se Ivica Daçiq është “kryeministër i rremë” dhe se me zgjidhjen e problemit të Kosovës duhet të merret partia më e madhe në koalicionin qeverisës - Partia Përparimtare e Serbisë (SNS).
Në një deklaratë të zëdhënësit të DSS-së, Petar Petkoviq thuhet se “nuk është gënjeshtër kur thuhet se Kosova është serbe, ashtu siç ka thënë Daçiq, por gënjeshtër është kur thuhet se Daçiqi mbron interesat kombëtare dhe shtetërore serbe”.
“Daçiq në kuptim të plotë ka poshtëruar pozitën e kryeministrit dhe ai nuk e meriton që të jetë kryetar i Qeverisë së Serbisë. Pasi që Daçiqi në fakt nuk udhëheq me qeverinë por nënkryetari i SNS-së, me të drejtë mund të themi se Daçiqi është kryeministër i rremë”, ka thënë Petkoviq.
Kryeministri i Qeverisë së Serbisë, në një intervistë në revistën javore serbe NIN, ka deklaruar se për dhjetë vjet me radhë është gënjyer se “Kosova është e jona”.
---
Qëndrim unik i udhëheqjes serbe është që nëse nuk rriten kompetencat e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, Beogradi nuk mund ë pranojë kurrfarë propozimi për këtë, “madje” edhe me çmim të mosmarrjes së datës” për bisedime për anëtarësim në BE, tha sot kryeministri serb Ivica Daçiq.
Ai konfirmoi se qeveria serbe momentalisht është në fazën e ujdisë për një takim të presidentit Tomisllav Nikoliq, nënkryetarit të qeverisë, Aleksandar Vuçiq dhe atij si kryeministër me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel të hënën e ardhshme, apo ndonjë ditë tjetër.
“Është shumë me rëndësi që udhëheqja jonë shtetërore t’i shprehë qartë qëndrimet e veta në bisedë me zyrtarët evropianë, në mënyrë që dikush të mos llogarisë se ne do të pranojmë diçka në momentin e fundit”, theksoi ai.
Ai përsëriti se nuk ka nevojë ta informojë parlamentin për rrjedhën e bisedimeve në Bruksel, sepse asgjë e re nuk është bërë, por që do ta bëjë këtë “nëse marrëveshja do të jetë afër”.
“Nëse për media është më interesante se a është dashuruar Hashim Thaçi në përkthyesen time, atëherë nuk e di, mbase do të duhej për këtë të informojë”, tha Daçiq./Indeksonline/