E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Mos i shisni pronat - jepjani kompleksit të shkollave

Të martën, aktivistët e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan kanë realizuar një aksion protestues pranë objektit të ish Agjensionit Pyjor të Kosovës, brenda kompleksit të shkollave të mesme në Gjilan. Aktivistët mbanin në duar disa pankarta, si në vijim: “AKP, nuk je mbi interesin publik”, “Komunë, çka po pret, fillo procedurat”, “Jepjani shkollave”, “Nxënësit nuk frymojnë lirshëm”, “Kjo i takon shkollave dhe nuk duhet të privatizohet apo të shitet në asnjë mënyrë”.

Gjatë këtij aktiviteti, aktivisti Shkodran Ramadani tha ky objekt duhet të kalojë nën administrimin e Komunës, e kjo e fundit t’ua jap shkollave, pasi që objekti në fjalë gjendet në hapësirën mes gjimnazit të vjetër, gjimnazit të ri, shkollave të tjera të mesme dhe Fakultetit të Edukimit. “Ky kompleks i shkollave ka nevojë më së shumti për hapësirë të lirë. Pasi që ky objekt tani ka filluar të administrohet nga AKP-ja, ne kërkojmë që të bartet në emër të Komunës, gjegjësisht të dedikohet për nevojat e shkollave të mesme. Komuna nuk duhet të pres, por të fillojë procedurat, që mijëra nxënësve t’u jepet hapësira e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve mësimore. Numri i nxënësve në krahasim me hapësirën që disponojnë, është sjakshmërisht joproporcional. Sa më shumë hapësirë të mjaftueshme, aq më shumë mësim cilësor” u shpreh Ramadani.

Ai ndër të tjera theksoi se edhe me nenin 12 të Ligjit mbi dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës, Komuna ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë. “Aty thuhet tekstualisht se komuna ka të drejtën të shfaq kërkesë për ta shpallur këtë pronë në interes publik, dhe pasi ta bëjë këtë propozim Kryetari i Komunës në Kuvendin Komunal, kërkesa i shkon AKP-së e cila mbi bazën e arsyetimeve dhe nevojave të paraqitura, i shqyrton kontestet e mundshme juridike dhe fillon procedurat për ta trajtuan kërkesën e Komunës. Ne konsiderojmë se komuna nuk duhet të pres dhe ta lë këtë objekt nën administrimin e AKP-së, por ta bartë për kompleksin e shkollave”, tha aktivisti Shkodran Ramadani./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›